Botë

Gazë, gjenden rreth 300 trupa të vdekur në një varr masiv

23.04.2024 14:04

Numri i trupave të zhvarrosur nga varri masiv i Kan Junisit ka arritur në afro 300...

Numri i trupave të zhvarrosur nga varri masiv i Kan Junisit ka arritur në afro 300, derisa operacionet ushtarake izraelite vazhdojnë në pjesën jugore të enklavës palestineze. Mbrojtja Civile e Gazës ka akuzuar Izraelin për krim.
 
“Një numër i madh i viktimave, familjet e të cilëve nuk mundën t'i varrosin në varreza për shkak të ofensivës në Kan Junis, duhej të varroseshin këtu. Por ne u befasuam nga numri kur erdhëm për t'i zhvarrosur. Numri i madh i trupave tregon se ka pasur një masakër dhe një krim të kryer pas mureve të spitalit “Nasser".”, - deklaroi dr. Mohammed nga Mbrojtja Civile e Gazës.
 
Lufta në Gazë shkeli ndjeshëm të drejtat e njeriut. Sekretari i Shtetit, Blinken, publikoi Raportin Vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ai tha se ShBA-ja nuk zbaton standarde të dyfishta në politikën e saj ndaj Izraelit.
 
“Derisa shikojmë të drejtat e njeriut dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën, ne zbatojmë të njëjtin standard për të gjithë. Nuk ndryshon nëse vendi në fjalë është kundërshtar, konkurrent, mik apo aleat.”, - theksoi sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken.
 
Pavarësisht thirrjeve për një ulje të tensioneve në Bregun Perëndimor, Izraeli kreu bastisje të reja. Ka të plagosur. Tel Avivi ka kritikuar planet e ShBA-së për të sanksionuar një njësi ushtarake izraelite për shkelje të dyshuar të të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor.
 
“Nëse një ushtar bën një gabim, ne do t'i kërkojmë llogari. Kjo është përgjegjësi e institucionit ushtarak. Askush në botë nuk do të na mësojë se çfarë është morali dhe çfarë janë normat. Ne dimë si të kujdesemi për normat tona dhe si të sillemi. Është përgjegjësia jonë të mbrojmë Izraelin.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant. 
 
Autoritetet izraelite njoftuan se do të zgjerojnë zonën humanitare para fillimit të ofensivës në Rafah. Ndërkohë, BE-ja po zgjeron sanksionet ndaj prodhuesve të dronëve dhe raketave të Iranit. Hapi është për të ardhur keq, vlerësoi Teherani.
 
BELINDA KOKA ADEMI