Raporti i DASh-it për të Drejtat e Njeriut, Kosova merr hapa të besueshëm

23.04.2024 14:40

Departamenti Amerikan i Shtetit...

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023, ku thuhet se Qeveria e Kosovës ndërmori hapa të besueshëm, por jo të vazhdueshëm për të identifikuar, hetuar, akuzuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë abuzuar me të drejtat e njeriut.

Në kapitullin e tretë të këtij raporti ku flitet për lirinë për të marrë pjesë në procesin politik, përmendet edhe çështja e ndikimit të Listës Serbe tek serbët lokalë në veri të Kosovës.

“Qeveria serbe vazhdoi të operojë struktura të paligjshme paralele qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti Goran i Kosovës. Qeveria serbe shpesh i përdorte këto struktura për të ndikuar në komunitetet serbe dhe gorane të Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë.”, thuhet në raportin e DASh-it.

Në raport përmendet edhe presioni i Listës Serbe te serbët në Veri.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe të pavarur, si dhe përfaqësuesit e grupeve të pakicave etnike raportuan shqetësime në lidhje me mungesën e konkurrencës në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe vunë në dukje presionin dhe frikësimin brenda komuniteteve pakicë etnike për të mbështetur partitë e rreshtuara me Listën Serbe, një parti e lidhur ngushtë me qeverinë serbe. Perspektivat për partitë opozitare në zonat serbe të Kosovës mbetën të kufizuara, megjithatë, për shkak të presionit të raportuar dhe taktikave të frikësimit për të ndikuar tek serbët e Kosovës që të mbështesin Listën Serbe.”, thuhet në raportin e DASh-it.