Zgjedhjet presidenciale, 1.8 milion votues në 3 480 vendvotime

23.04.2024 15:25

Prej mbrëmë në mesnatë...

Prej mbrëmë në mesnatë ka nisur heshtja zgjedhore për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, e cila do të zgjasë deri nesër në orën 19:00 kur qendrat e votimit do të mbyllen në të gjithë vendin. 1.814.317 votues do të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, 10 mijë votues më pak krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën në vitin 2021.

Sipas të dhënave, në listën zgjedhore të KShZ-së, për të votuar në vend janë regjistruar 1.713.758 qytetarë. KShZ-ja përpos përgatitjeve doli me sugjerime edhe për votuesit.

“Plotësisht jemi të përgatitur për ditën e nesërme. Dhe ato përgatitje asnjëherë nuk ndalojnë. Vazhdimisht dikujt i mungon diçka kështu që jemi në kontakt non stop me njerëzit. Që nga mëngjesi kemi pasur shumë kontakte dhe do të vazhdojmë të jemi në kontakt. Edhe nesër gjatë ditës nëse paraqiten probleme do t’i zgjidhim sepse kjo është problematikë e gjallë e cila duhet të zgjidhet në vazhdimësi.”, tha kryetari i KSHZ-së Aleksandar Dashtevski.

KShZ-ja në faqen zyrtare ka publikuar udhëzimin për të gjithë votuesit. Në udhëzim në detaje është e përfshirë e gjithë procedura e votimit. Midis tjerash, thuhet se votimi është e drejtë individuale, ndalohet votimi familjar dhe në grup, si dhe ndalohet fotografimi i fletëvotimit.

Gjithsej do të votohet në 3.480 vendvotime të 80 komunave në vend. Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 8 maj, atëherë kur përputhet me rrethin e parë të zgjedhjeve parlamentare. Në garën presidenciale matin forcat 7 kandidatë. (Meral Ismaili, TVM2)


ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

1 814 317 votues në 3.480 vendvotime

1 713 758 qytetarë votojnë në vend

95 116 votues janë përkohësisht jashtë shtetit

2 147 janë duke vuajtur dënim me burg