Ban Ki Mun: Kampi i refugjatëve palestinezë, “kamp i vdekjes”

10.04.2015 11:56

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka thënë se kampi i refugjatëve palestinezë afër Damaskut, një pjesë e madhe e të cilit është nën kontrollin e militantëve të “Shtetit Islamik”, paraqet “rrethin më të thellë të ferrit” në horrorin katërvjeçar të Sirisë...

Ban Ki-moon, iu ka thënë gazetarëve mbrëmë se kampi i refugjatëve ka filluar të duket si një kamp i vdekjes për 18 mijë banorët e tij.

Ai ka paralajmëruar se luftëtarët e armatosur brenda kampit dhe forcat qeveritare siriane jashtë tij janë një shpatë me dy teha për mijëra njerëzit e bllokuar brenda kampit.

“Ne thjeshtë s’mund të qëndrojmë anash dhe të shohim se si do të nis një masakër”- ka thënë Ki Mun.

Sekretari i Përgjithshëm ka kërkuar fundin e të gjitha luftimeve, qasjen në ndihma humanitare dhe dalje të sigurt të njerëzve që duan të ikin nga kampi. Kampi në fjalë kishte 160 mijë palestinezë para nisjes së luftës në Siri, në vitin 2011.