MASh, apel për semimaturantët: Të mos anashkalohen shkollat profesionale

10.04.2015 15:31

Tregu i punës ka nevojë për nxënës të cilët pas përfundimit të shkollave profesionale aftësohen për punë...

Të gjithë prindërit duhet të reflektojnë dhe të mendojnë se zgjedhja e shkollës është një vendim me shumë rëndësi për fëmijët e tyre.

Në gjimnaze ka hiperproduksion të nxënësve dhe  anashkalohen shkollat profesionale, të cilat ofrojnë perspektivë. Ka edhe raste të atilla kur hapen paralele dhe nuk ka nxënës të interesuar, dukuri kjo e cila është brengosëse, deklaron Safet Neziri, këshilltar në MASh, në emisionin “Forumi Rinor” në TVM2.

“Shkolla e mesme elektroteknike, me kabinete të pajisura dhe është shkollë e cila plotëson pothuajse të gjitha standardet, për fat të keq nuk kemi nxënësit të interesuar të paraqiten në këtë shkollë. Rast të tillë kemi edhe në shkolla tjerë, në atë “Llazar Tanev”, ku kemi nxënës, por nuk plotësohen paralelet e shpallura me konkurs”- deklaroi këshilltari në MASh, Safet Neziri.

Shkollat e mesme, ajo Ekonomike “Arseni Jovkov” dhe ajo e Muzikës “Ilija Nikollovski-Lluj”, u bëjnë thirrje nxënësve që të regjistrohen në këto drejtime, sepse janë shkolla specifike, të cilat ofrojnë njohuri teorike dhe praktike për aftësimin e nxënësve.

“Është hapur një paralele e re me mësim në gjuhën shqipe, përveç asaj janë zvogëluar dy paralele me mësim në gjuhën maqedonase. Tani me automatizëm tre klasa, apo njëqind nxënës, pamundësohen të regjistrohen në gjuhën maqedonase”- tha ndihmësdrejtori në Sh.M. “Arseni Jovkov”, Nazmi Rramani.

“Shkolla e Mesme e Muzikës nuk është vetëm për nxënësit e Shkupit dhe rrethinës, por edhe Kumanovës dhe do të kisha apeluar që edhe nxënësit prej Kumanove të vijnë këtu të regjistrohen”- theksoi udhëheqësi i paraleleve shqipe në Shkollën e Mesme të Muzikës “Ilija Nikollovski-Lluj”, Mustafa Ymeri.

Sipas MASh-it, këtë vit në nivel nacional do të ketë 1039 paralele për regjistrim në shkolla të mesme. Kriteret do të jenë më rigoroze, në shkollat e mesme të mjekësisë do të nevojiten 70 pikë, ndërsa në gjimnaze dhe ekonomi 60 pikë. Po ashtu do të realizohet në kontinuitet edhe strategjia afatgjate për orientimin e nxënësve në shkollat e mesme profesionale. (Flutura Latifi, TVM2)