Padi penale për drejtorin e NPK –Strugë, MPB: Keqpërdori detyrën zyrtare, dëmi 6 milion denarë

10.04.2015 15:59

Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal kundër drejtorit aktual të Ndërmarrjes Publike Komunale në Strugë, nën dyshimin se ka kryer vepër penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare”....

Nga MPB-ja thonë se i akuzuari, në mënyrë të kundërligjshme, ka ndërprerë kontratë për bashkëpunim me një partner publiko-privat, me ç’rast ka shkaktuar dëm material prej 6 milion denarë.

“I dyshuari akuzohet se duke qenë drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale në Strugë, nga 18 tetori e deri më 18 nëntor 2013, ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Edhe pse ka qenë i obliguar që të veprojë në bazë të nenit 44, paragrafi 4, Ligjit për Koncesion dhe Partneritet publiko-privat, ai me vetdëshirë, në mënyrë të kundërligjshme, ka ndërprerë marrëveshje me një partner, duke shkaktuar kështu dëm prej 6 milion denarë”- deklaroi Maria Jakovlevska nga MPB.

Nga MPB-ja njoftojnë se edhe përkundër faktit që partneri publiko-privat në mënyrë elektronike ka shprehur vullnet për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe rishqyrtimin e pakënaqësive te Ndërmarrja Publike Komunale në Strugë, i akuzuari me vullnet të tij ka ndërprerë marrëveshjen, me sqarimin se gjatë shpalljes nuk ka qenë i kompletuar dokumentacioni i dorëzuar dhe me këtë dëmtohet Ndërmarrja Publike Komunale-Strugë. (Sanije Kasami, TVM2)