Maqedoni
KShZ-ja numëron 99.85% të votave, Siljanovska e Pendarovski në balotazh, Osmani del i treti
25.04.2024 11:53
Komisioni shtetëror zgjedhor ka njoftuar se dalja e përgjithshme në zgjedhjet presidenciale...

Komisioni shtetëror zgjedhor ka njoftuar se dalja e përgjithshme në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut ishte 48.46%. Sipas mbi 97% të votave të numëruara, kandidatja e VRMO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, mori dyfish më shumë vota sesa kundërkandidati i saj maqedonas nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski.
Të dy kandidatët do të përballen sërish me 8 maj, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Ndërkohë në taborin shqiptar, fitoi Bujar Osmani nga “Fronti Evropian” ndaj kundërkandidatit të tij shqiptar, Arben Taravari nga koalicioni VLEN. Osmani doli i treti me radhë për nga numri i votave të përgjithshme me 13.36% të votave.
Maksim Dimitrievski nga “E di’ me 83.787 apo 9.26% të votave, Biljana Vankovska e mbështetur nga “E Majta” me 41.172, 4.55% të votave dhe Stevço Jakimovski nga GROM-i ka 8.103 vota.
Të dhënat nga 24 vendvotime të tjera mbeten për përpunim të mëtutjeshëm, pas së cilës do të jepen rezultatet përfundimtare të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Të drejtë vote kishin 1.814.317 persona, ndërsa 1.713.758 votues ishin të regjistruar për votim në 3.480 vendvotime në tërë Maqedoninë e Veriut.
