Maqedoni
Prokuroria Publike, asnjë kallëzim për krim lidhur me zgjedhjet
25.04.2024 12:29
Gjatë ditës së votimit në Maqedoninë e Veriut deri në mbylljen e vendvotimeve...

Gjatë ditës së votimit në Maqedoninë e Veriut deri në mbylljen e vendvotimeve, në adresën elektronike [email protected] të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është pranuar asnjë kallëzim për krim lidhur me zgjedhjet.
“Sipas informacioneve të marra nga prokuroritë, dita e zgjedhjeve në rrethin e parë të zgjedhjeve për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kaluar në mënyrë të qetë dhe pa shqetësime të mëdha në procesin zgjedhor. Nuk u regjistruan incidente më të rënda që do të kishin karakteristikat e krimit kundër zgjedhjeve dhe votimit apo krime të tjera që do të rrezikonin procesin zgjedhor. Komisioni i Përkohshëm i Prokurorisë Publike për parregullsi të mundshme zgjedhore ka monitoruar rrjedhën e votimit dhe gjatë ditës janë organizuar punë të jashtëzakonshme në të gjitha prokuroritë themelore publike. Prokuroria Publike është koordinuar me institucionet tjera përgjegjëse për monitorimin e procesit zgjedhor. Komisioni do të vazhdojë punën deri në përfundim të ciklit zgjedhor. Të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund të prishin procesin zgjedhor do të hetohen dhe rastet do të kenë prioritet për veprim në prokuroritë publike.”, thuhet në kumtesë.
