Botë
Bajdeni me ndihmë për Ukrainën dhe Izraelin
25.04.2024 13:23
Presidenti amerikan, Xho Bajden, e ka nënshkruar paketën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën...

Presidenti amerikan, Xho Bajden, e ka nënshkruar paketën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, duke e shndërruar në ligj.
Njoftimi shënon një betejë të gjatë me republikanët në Kongres, sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën.
“Ne u bëmë bashkë dhe e arritëm këtë.”, tha Bajdeni nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se brenda orësh do të nisin dërgesat me ndihma ushtarake për në Ukrainë.
“Amerika do t’i dërgojë Ukrainës furnizimet që i duhen që të vazhdojë luftën.”, tha Bajdeni.
Sipas tij, miratimi i paketës tregoi se ShBA-ja dhe aleatët e saj e mbështesin plotësisht Ukrainën në betejën e saj kundër forcave pushtuese ruse, dhe se miratimi i paketës së ndihmës ishte i rëndësishëm për të treguar se “ne jemi ngritur kundër presidentit rus, Vladimir Putinit”.
Sipas zyrtarëve amerikanë, pjesa e parë e ndihmës për Ukrainën, që ka vlerë të përgjithshme prej 61 miliardë dollarësh, do të nisë së ekzekutuari brenda orësh. Aty përfshihen aftësi të mbrojtjes ajrore, municione për artileri, autoblinda dhe armë të tjera që do t’iu dërgohen forcave ukrainase, të cilat po përballen me pushtimin që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.
Paketa e ndihmës për Izraelin, Ukrainën dhe aleatët e tjerë të ShBA-së ishte bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të kundërshtimit të republikanëve të ekstremit të djathtë.
