Maqedoni

Viti akademik 2024/2025, UT-ja promovon ofertën studimore

25.04.2024 14:33

Universiteti i Tetovës i hapi dyert për studentët e rinj, duke prezantuar ofertën studimore për vitin akademik 2024/2025.....

Universiteti i Tetovës i hapi dyert për studentët e rinj, duke prezantuar ofertën studimore për vitin akademik 2024/2025. Ditët e Hapura në Universitetin e Tetovës kanë për qëllim të njoftojnë drejtpërsëdrejti maturantët e vendit dhe të rajonit për studimet dhe kushtet që ofron Universiteti i Tetovës. Prorektori për arsim, Ibrahim Neziri, tha se këtë vit akademik programeve studimore të UT-së, u shtohen edhe katër programe të reja studimore.
 
“Sot organizohet “Dita e hapur” me një agjendë shumë të pasur, nga 13 Fakultete dhe 98 programe studimore, të cilat kanë përgatitur prezantime për natyrën e programeve studimore. Këtë vit akademik në UT, listës së programeve studimore u shtohen edhe katër programe të reja: Mjekësia veterinare në Fakultetin e Bujqësisë, Kozmetikë e Estetikë në shkencat mjekësore, Biologji dhe Kimi, e përshtatur për shkollat fillore që është një program për kualifikim në kuadër të Fakultetit të Shkencave Matematiko-natyrore dhe Informatika Afariste, që është në kuadër të Fakultetit të Administrimit të Biznesit.”, - deklaroi prorektori për arsim pranë Universitetit të Tetovës, Ibrahim Neziri.
 
Të pranishëm ishin edhe shumë kompani vendore, që UT-ja ka bërë traditë që në ditët e hapura, absolventët të shohin edhe ofertat e kompanive.
 
“Tradicionalisht, Universiteti i Tetovës edhe këtë vit hap dyert për një numër të konsiderueshëm të kompanive, kryesisht të vendit që përfshihen nga ato prodhuese, kompani ushqimore fundamentale, librari, farmaci e shumë e shumë të tjera që kanë për interes edhe ofrimin e studentëve tonë në fushat e tyre, ku edhe ato bashkëveprojnë.”, - theksoi prorektori për Shkencë, Agon Memeti. 
 
Krahasuar me pesë vite më parë, numri i studentëve të regjistruar në vitin e parë në të gjitha universitetet publike e privatë është përgjysmuar. Për vitin akademik 2024/2025, UT-ja ka paraparë të regjistrojë në të gjitha programet studimore mbi 4.600 studentë.
 
VISAR SADIKI