Maqedoni

Mbrojtje, Norvegjia i dhuron ARM-së 76 automjete ushtarake

25.04.2024 15:37

Mbretëria e Norvegjisë ka dhënë një donacion për Armatën e Maqedonisë së Veriut e përbërë prej 76 automjetesh ushtarake...

Mbretëria e Norvegjisë ka dhënë një donacion për Armatën e Maqedonisë së Veriut e përbërë prej 76 automjetesh ushtarake, e gjithë kjo është shënuar përmes një ceremonie ushtarake në kazermën “Ilinden” të Shkupit. Ambasadorja e Mbretërisë së Norvegjisë në Maqedoninë e Veriut, Kristin Melsom, theksoi se Norvegjia vazhdon t’i zhvillojë dhe ndërtojë marrëdhëniet e mira ndërshtetërore, por ato u bënë edhe më të forta kur RMV-ja u bë pjesë e NATO-s.
 
“Marrëdhëniet tona diplomatike janë sforcuar shumë në 30 vitet e fundit, e ku kthesa më e fuqishme dhe vendimi më i rëndësishëm ishte pranimi i vendit tuaj në Aleancën e NATO-s në vitin 2020. Këtë bashkëpunim e kemi rritur edhe më shumë me vizitën e komandantit të gardës të shkëlqesisë së tij, Mbretit, por edhe në gjeneralit tonë të mbrojtjes, Ajrik Kristofersen, pastaj stacionimi i ekipit tonë të kirurgëve në Afganistan, pastaj shkëmbimi i kadetëve, si dhe vizitat e shumta të kolonelëve të ushtrisë suaj në vendin tonë.”, - deklaroi ambasadorja e Norvegjisë në Shkup, Kristin Melsom.
 
Donacioni përbëhet nga shtatëdhjetë e gjashtë automjetet ushtarake motorike, nga të cilat tridhjetë e gjashtë janë mjete të lehta këmbësorie të tipit Mercedes Benz-290GD, Multi 2 dhe dyzet kamionë të tipit mallrash Scania-P3, të cilat janë më të rejat nga shumë projektet e deritanishme nga bashkëpunimi i shkëlqyer në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Norvegjisë. Në këtë ceremoni zyrtare ushtarake të pranim-dorëzimit të këtij donacioni, fjalim rasti kishin edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralejtënant Vasko Gjurcinovski dhe Andres Jernberg, komandant i Logjistikës së Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Norvegjisë.
 
FITIM KRYEZIU