Botë
Lufta në Rripin e Gazës, zbulohen varre masive afër spitalit “Nasser”
25.04.2024 17:30
Shumë palestinezë janë mbledhur për të kërkuar trupat e të afërmve të tyre, pasi janë zbuluar disa varre masive në spitalin “Nasser” në Kan Junis...

Shumë palestinezë janë mbledhur për të kërkuar trupat e të afërmve të tyre, pasi janë zbuluar disa varre masive në spitalin “Nasser” në Kan Junis. Të paktën 300 trupa janë varrosur përreth spitalit, njofton Mbrojtja Civile Palestineze. Shërbimet e urgjencës janë duke gërmuar ende dhe presin ende të gjenden qindra trupa të tjerë. Trupat janë gjetur me duar dhe këmbë të lidhura dhe shenja të plagëve nga armët e zjarrit dhe dyshohet se janë ekzekutuar. Është ende e paqartë për atë që ndodhi në spital, pasi nuk mund të kryhen hetime mjeko-ligjore në Gazë, sepse Izraeli i mban kufijtë e tij të mbyllur dhe refuzon të pranojë ekipe kërkimore.
“Djali im. Naser, Naser! Aty është edhe një djalë tjetër. Djali im tjetër. Nxirreni jashtë, ju lutem! Gjeni edhe Nabilin tim! Ju lutemi, kërkoni atje! Nabili ende po na mungon.”, - u shpreh banore e Gazës.
“Më rastisi të kërkoja atje dhe e nxora me duart e mia. Më pyetën se kush ishte. Unë thashë: "Ky është djali im, Mahmud". Djali im, djali im i dashur!”, - tha një banor i Gazës.
"Ushtria izraelite vrau civilë në spital. Dhe më pas ata i futën trupat në varre masive. Gjetëm njerëz të cilëve iu kishin lidhur duart. Kjo dëshmon se ushtria izraelite vrau njerëz pas marrjes në pyetje. Ose u varrosën të gjallë, siç kemi parë shpesh këtu.", - theksoi shefi i Shërbimit të Urgjencës Palestineze.
“Izraelitët po këmbëngulin se nuk kishin të bënin me vrasjet e këtyre palestinezëve. Pse nuk do të bashkëpunojnë më shumë me një hetim të pavarur për këto varre masive dhe një hetim mjekoligjor? Ne mirëpresim çdo lloj hetimi të pavarur, pa presion ndërkombëtar dhe masa konkrete për ta bërë atë hetim të zbardhet e vërteta.”, - deklaroi Zainah Harun nga Organizata për të drejtat e njeriut “Al-Haq”.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite vazhdon me të njëjtat arsyetime, se cak i sulmeve të tyre janë militantët e Hamasit dhe lirimi i pengjeve izraelite.
“Kjo është një thirrje urgjente për veprimin e 7 tetorit. Ne duhet t’u kundërpërgjigjemi. Është një kujtesë se sa i sëmurë është ky grup terrorist, duke terrorizuar gjithashtu pengjet dhe familjet e tyre dhe të gjithë pengjet tanë në shtëpi. Ne jemi duke shënjestruar terroristët e Hamasit.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes – Izrael, Daniel Hangari.
Në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në 24 orët e fundit ndaj Rripit të Gazës kanë humbur jetën 43 palestinezë, ndërsa 64 të tjerë janë plagosur. Në sulmet e Izraelit kundër Rripit të Gazës, që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, numri i personave që kanë humbur jetën ka arritur në 34.305, ndërsa i të plagosurve në 77.293.
FARIJE DAUTI BAKIJU
