Marrëdhëniet Maqedoni-Kosovë, Hysa: respektoni MO-në, kemi një rrugë drejt BE-së
Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, vlerëson se raportet mes Shkupit dhe Prishtinës duhet të përforcohen në kuadër të asaj që ai e cilëson filozofi e të qenurit pjesë e një familje të zgjeruar euroatlantike...

“Për ne një Maqedoni e cila e respekton dhe e implementon tërësisht Marrëveshjen e Ohrit dhe me orientimet e saj shkon ka Evropa e Bashkuar dhe NATO, për ne është një Maqedoni dhe një fqinj i mirë”- deklaroi Hysa në një intervistë për “Anadolu Agency”.
Kosova është një treg i rëndësishëm për Maqedoninë, si një nga partnerët më strategjik të tregtisë së jashtme të Maqedonisë, ku në këtë vend qarkullojnë prej 1 milion e 100 mijë njerëz në vit. Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit, që do të lidhë dy vendet, Kosovën dhe Maqedonisë, sipas Hysës do të ndikojë ndjeshëm në këtë lidhje, megjithëse barra më e madhe e ndërtimit të saj do t’i bie Kosovës.
“Përpjekja e Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar me buxhetin e saj një rrugë të rëndësishme, që do të lidh dy kryeqytetet, Shkupin dhe Prishtinën, është një lloj dëshmie që të ketë lidhje më të madhe mes dy vendeve tona”- deklaron Hysa.
Qarkullimi i lirë i njerëzve vetëm me letërnjoftime, hapja e pikës së re kufitare Stançiç-Bellanoc, si dhe aspekte tjera të marrëveshjeve, siç është homologimi i lejeve të vozitjes dhe shumë gjëra tjera praktike deri të ambienti do të rrisin në një nivel edhe më të madh marrëdhëniet mes dy vendeve tona, thotë ambasadori kosovar.
“Tashmë në nivelin më të lartë është biseduar edhe për mundësinë e mbajtjes së një mbledhje në mes të dy qeverive, ku priten të nënshkruhen disa marrëveshje, të cilat do të kenë rëndësi të madhe edhe për qarkullimin edhe për zhvillimin e këtyre dy vendeve”- theksoi Hysa.
Në intervistë, ambasadori i Kosovës në Maqedoni ka deklaruar edhe se veteranët shqiptarë të Maqedonisë, që kanë qenë pjesëmarrës në Luftën e Kosovës gjatë vitit 1999, do të trajtohen sipas një procedure të veçantë në Prishtinë.
“Të gjithë ata që kanë kontribuar në luftën e Kosovës, në lirinë e saj, do të jenë të trajtuar në mënyrë të barabartë. Unë dëshiroj në këtë rast t’i falënderoj të gjithë ata që në momente më të vështira kanë rrezikuar jetën e tyre për lirinë e Kosovës”- tha Hysa, i cili nuk la pa falënderuar edhe të gjithë ata shqiptarë që kanë hapur zemrat dhe shtëpitë e tyre për vëllezërit e tyre kosovarë në një kohë shumë të vështirë për ekzistencën e Kosovës gjatë luftës së 1999-ës, si dhe u shpreh se “ata gjithmonë e kanë vendin e pashlyer në zemrat tona”. (Besim Abdullai, TVM2)
