Kumanovë, mbahet manifestimi “Java kulturore shqiptare”

10.04.2015 17:07

Manifestimi kulturor, “Java kulturore shqiptare”, mbrëmë për të pestin vit radhazi u mbajt në qytetin e Kumanovës...

Për dallim nga vitet e kaluara kur ky manifestim mbahej gjatë muajit gusht, organizatorët sivjet e panë të arsyeshme që i njëjti të mbahet gjatë muajit prill. Sidoqoftë, Kumanova edhe gjatë ditës së djeshme ishte vend ku u tubuan shoqëri kulturore artistike nga Shkupi, Prishtina, Kumanova, Gjilani Therranda dhe vise tjera. Manifestimit të mbajtur në Palestrën e Sporteve i parapriu parakalimi i të gjithë pjesëmarrësve nëpër rrugët e pjesës qendrore të Kumanovës, që zgjoi emocione të shumta tek kumanovarët, numri i të cilëve shkonte duke u rritur. Për disa orë rrugët e Kumanovës ishin nikoqir të qindra entuziastësh të rinj të shoqërive kulturore artistike nga të gjitha trojet.

Më pas, festa vazhdoi në Palestrën e Sporteve, ku edhe ishte caktuar të mbahej manifestimi qendror. 

Në kuadër të kësaj mbrëmje të shumëpritur kulturore performuan anëtarë të shoqërive të shumta kulturore artistike, kurse kumanovarët patën rastin të përcjellin këngë e valle të zgjedhura nga vise të ndryshme. (Nexhat Aqifi, TVM2)