Distria Krasniqi, kampione evropiane
26.04.2024 14:16
Distria Krasniqi është kampione evropiane në xhudo...

Distria Krasniqi është kampione evropiane në xhudo. Medaljen e artë në Evropianin në Zagreb, Distria e fitoi të enjten.
Ajo ishte bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë dhe nuk lejoi befasi. Nisi me fitore bindëse ndaj ukrainases Anna Borodina. Ndaj saj realizoi uazari të shpejtë, ndërsa nuk vonoi dhe siguroi "Ippon" me mbërthim. Edhe më bindëse xhudistja kosovare ishte në luftën e dytë. Për më pak se një minutë e eliminoi kroaten Ana Viktorija Puljiz. Ndaj saj fitoi me mbajtje. Në gjysmëfinale, Distria iu revanshua spanjolles Ariane Toro Soler për një disfatë të mëhershme. Ndaj saj shkëlqeu po ashtu. Kishte vazhdimisht iniciativën dhe kërkonte hedhjen. Realizoi uazari, ndërsa lufta përfundoi kur Soler pësoi dënimin e tretë. Pra deri në finale Distria nuk u rrezikua asnjëherë.
Në finale Distria e mposhti italianen Odette Giuffrida. Atë e mposhti me uazari në kohën shtesë. As Giuffrida nuk e rrezikoi asnjëherë xhudisten kosovare. Për Distrinë është titulli i dytë i Evropës për seniore. Ka edhe dy medalje të argjendta evropiane e dy të bronzta, si dhe shumë të tjera në kategori të reja. Të enjten garoi edhe Flaka Loxha që u ndal në luftën e parë. Sot garojnë Akil Gjakova e Dardan Cena, ndërsa të shtunën Loriana Kuka. Në Evropian po paraqiten 427 xhudistë nga 47 shtete.