Cili vend dëshiron të destabilizojë Maqedoninë?!
Vazhdon të mbetet mister vendi i cili, sipas kreut të qeverisë, dëshiron të destabilizojë vendin përmes skandalit me përgjimet...

Edhe pse gishti është drejtuar nga jashtë, shefi i diplomacisë nuk ka një përgjigje konkrete për t’u sqaruar vendeve ku Maqedonia ka shtrirë rrjetin e saj diplomatik se kush është vendi që dëshiron një Maqedoni të destabilizuar. Ndryshe nga kreu i Qeverisë, kryediplomati thotë se askush nuk e ka të drejtën që të lëshojë një akuzë të tillë ndaj vendeve të huaja.
“Kush na destabilizon, kush janë ata faktorë dhe kush ai vend?! Për këtë pyetje ka vetëm një përgjigje. RM-së ka institucione kompetente, të cilat duhet përmes procedurës përkatëse dhe transparente të përcaktojnë faj të mundshëm, përfshirje të mundshme dhe të ndërmarrin masa të caktuara për të. Dhe mendoj se në asnjë rast nuk duhet të propozojmë alternativë të gjyqësisë private, apo gjykim privat të cilitdo aktor, pa marrë parasysh nëse është deputet, ministër apo komentues, që të merr vendime ose të bëjë vlerësime përfundimtare për çështje që duhet të kenë rrjedhë institucionale”- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki.
Mirëpo, Poposki akuzoi opozitën dhe fqinjin jugor si fajtorë për moszgjidhjen e kontestit rreth emrit. Faktor kyç për procesin eurointegrues. Ai konfirmon se procesi për tejkalimin e kontestit dypalësh është ndërprerë që në vitin 2008
“Përgjigja më e thjeshtë e kësaj pyetjeje, do kisha thënë nga 2008, kur na u vu barriera për anëtarësim në NATO, është se nuk ka proces”- tha ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki.
Përderisa fqinji jugor ka bllokuar anëtarësimin në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, opozita është fajtore për ndërprerjen e dialogut në nivel të lartë, thotë Poposki. Sipas tij, vendi ka dëm thelbësor nga mosrealizimi i dialogut qasës në nivel të lartë për shkak të mungesës në institucione të aktorëve kryesorë, siç është LSDM. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
