Qatip Osmani largohet nga drejtimi i Vllaznisë

26.04.2024 15:04

Qatip Osmani nuk është më trajner i Vllaznisë. Lajmi është konfirmuar nga vetë presidenti i kuqebluve...

Qatip Osmani nuk është më trajner i Vllaznisë. Lajmi është konfirmuar nga vetë presidenti i kuqebluve, Alban Xhaferi posaçërisht për Rrjetin e RTSH-së. Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë, në përballjen e dyfishtë me Egnatian në gjysmëfinale, duket se ka rezultuar fatale për trajnerin e lindur në Kroaci, me banim në Maqedoninë e Veriut. Kujtojmë që Osmani mbërriti te kuqeblutë duke zëvendësuar Migen Memellin.
 
Nën drejtimin e tij skuadra, pas një nisje të ngadaltë, mori një tjetër hov duke arritur majat në klasifikim, aktualisht ndodhet në vendin e dytë në klasifikim me 52 pikë. Gjithsesi, eliminimi nga Kupa, pas 120 minutave të luajtura në “Loro Boriçi” përballë Egnatias solli edhe vendimin ekstrem. Pas humbjes 0-1 në Rrogozhinë, në “Loro Boriçi” në 90 minuta, Vllaznia arriti të fitojë 1-0, por në shtesë erdhi goli i Egnatias, që vulosi eliminimin e Vllaznisë, por mesa duket edhe largimin e Osmanit.