Botë
OKB, seancë për Srebrenicën, shtyhet votimi për rezolutën e gjenocidit
26.04.2024 16:05
Në selinë e OKB-së në Nju Jork po mbahen konsultime joformale për draft-rezolutën...

Në selinë e OKB-së në Nju Jork po mbahen konsultime joformale për draft-rezolutën, e cila parasheh shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Edhe pse ishte e paralajmëruar, votimi për rezolutën nuk do të mbahet më 2 maj, sepse teksti i draft dokumentit është dërguar për rishikim. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha që ShBA-ja, Gjermania dhe disa vende të tjera, kanë ndikuar në lobimin e rezolutës për Srebrenicën, për shkak të fushatës që bën Beogradi kundër miratimit të saj.
“Afrika e Jugut propozoi një amendament. Mirë, në rregull! Do të votojmë për të njëjtin, por kjo duhet të vlejë edhe për Gazën. Sigurisht një amendament i tillë nuk do të pranohet. Kjo është një lojë e madhe. Me një fjalë është duke vluar në OKB. Kishim një takim me pesë vendet e Evropës, për të cilat besojmë se është i mundur një raport miqësor dhe për të cilat besojmë se është e mundur të mos votojnë ashtu siç janë urdhëruar. Do të vazhdojmë të punojmë dhe s’i të kthehemi në Beograd do të bëjmë një plan.”, - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ambasadori i Bosnjë dhe Hercegovinës në OKB, Zllatko Lagumxhija, tha se votimi për një rezolutë për Srebrenicën është shtyrë dhe nuk do të zhvillohet, por Asambleja e përgjithshme sigurisht do të jetë pas datës 6 maj, varësisht nga orari i seancave që do ta mësojmë të martën, tha Lagumxhija. Në draft-rezolutë, veç tjerash kërkohet që të dënohet çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë dhe veprimet që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin.
Siç njoftoi së fundmi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Maqedonia e Veriut, është një nga 17 vendet që bashkë-sponsorizojnë rezolutën e OKB-së. Autoritetet zyrtare të Beogradit dhe Republika Serbe mohojnë se është kryer gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë në vitin 1995 nga Ushtria e Republikës Serbe. Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocidin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
