Twiter mbyll profilet e xhihadistëve
Twitter njoftoi se brenda një dite ka bllokuar gati 10 mijë profile të lidhura, sipas gjasave, me ekstremizmin islamik...

Menaxherët e medias sociale vendosën ta hedhin këtë hap pas pikasjes së disa mesazheve që përmbanin, sipas tyre, “kërcënime të dhunshme”.
Lajmin e përcjell e përditshmja prestigjioze amerikane, “New York Times”.
Gazeta njujorkeze saktëson megjithatë se verifikimi i pavarur i këtyre pohimeve nuk ka qenë i mundur, sepse edhe të dhënat e ofruara prej rrjetit në fjalë nuk bëhen publike. Megjithatë, nëse vërtetohet, ky do të jetë aksioni më i madh i ndërmarrë ndonjëherë nga Twitter kundër ISIS-it, që në pohimet e disa ekspertëve rezulton të ketë të paktën 90 mijë profile simpatizantësh apo edhe anëtarësh të grupit ekstremist.
Lëvizja vjen pas një vale kritikash të ashpra të drejtuara drejt rrjetit social, që akuzohet se i ka lejuar “Shtetit Islamik” shfrytëzimin e internetit për përhapjen e videove dhe mesazheve të propagandës së tij të dhunës.
Deri tani, Twitter kishte njoftuar bllokimin e gati 2 mijë profileve në muajt e fundit. Funksionari që ofroi shifrat e fundit ka preferuar të ruaj anonimatin për arsye sigurie.
Ai shpjegoi se aksioni është pasojë edhe e presioneve të aktivistëve, që prej 6 muajsh kërkonin me forcë të ndërhyhej për ndalimin e përhapjes së propagandës xhihadiste në internet. (Meral Ismaili, TVM2)
