Botë
Blinkeni viziton Kinën, takim me kreun shtetëror, Kina: ShBA-ja mos t’i shkelë vijat e kuqe
26.04.2024 17:59
Uashingtoni dhe Pekini paralajmëruan për rreziqet që rezultojnë nga keqkuptimet e ndërsjella dhe përllogaritjet e gabuara...

Uashingtoni dhe Pekini paralajmëruan për rreziqet që rezultojnë nga keqkuptimet e ndërsjella dhe përllogaritjet e gabuara. Pekini thotë që Amerika nuk duhet të tejkalojë vijat e kuqe, ndërsa të dyja palët kanë pikëpamje të ndryshme për çështje të shumta dypalëshe, rajonale dhe globale. Kjo ka nxitur vizitën e sekretarit amerikan të shtetit me kreun e lartë kinez. Presidenti Xi Jinping ka theksuar se është i patjetërsueshëm bashkëpunimi mes dy fuqive.
“Të dyja vendet duhet të jenë partnere e jo rivale. Për momentin bota po përjeton ndryshime të thella, ndërsa situata ndërkombëtare është e ndërlikuar me kaos dhe ndryshime. Përforcimi i dialogëve, menaxhimi me mosmarrëveshjet dhe avancimin e bashkëpunimit nuk janë vetëm dëshira të popujve, por edhe pritshmëritë e përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare.”, - deklaroi presidenti i Kinës, Xi Jinping.
Blinken: Kemi përgjegjësi të përbashkët
Vizita pason disa ditë, pasi që Bajdeni e nënshkroi pakon e ndihmës prej 95 miliardë dollarëve për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.
“Pekini dhe Uashingtoni kanë një përgjegjësi të përbashkët për të çuar përpara lidhjet me diplomaci aktive. Kemi parë përparim në sferën e bashkëpunimit. Jemi të përkushtuar në mirëmbajtjen dhe përforcimin e linjave të komunikimit.”, - theksoi sekretari i shtetit i ShBA-së, Antoni Blinken.
Stoltenberg: Kina mos ta ndihmojë Rusinë
Presidenti rus Putin, ndërkohë ka paralajmëruar se do ta vizitojë Kinën në maj. Më herët sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kina duhet të ndalojë ta mbështesë Rusinë në luftën kundër Ukrainës, nëse dëshiron të gëzojë marrëdhënie të mira me Perëndimin.
“Kina po e përkrah ekonominë ushtarake të Rusisë, duke ndarë me Rusinë teknologji të lartë. Thotë se dëshiron marrëdhënie të mira me Perëndimin, ndërkohë Pekini vazhdon të ushqejë konfliktin më të madh të armatosur në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Ata nuk mund ta kenë atë në të dyja mënyrat.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Armata ukrainase është nën presion nga forcat ruse dhe sulme të vazhdueshme nga toka dhe ajri.
LEUNORA KALIQI
