Kosova, së shpejti me agjenci për siguri kibernetike
Së shpejti pritet të funksionalizohet Agjencia për Siguri Kibernetike...

Së shpejti pritet të funksionalizohet Agjencia për Siguri Kibernetike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila synon të monitorojë dhe parandalojë sulme të ndryshme kibernetike në Kosovë.
Këtë e bëri të ditur për Radio Kosovën drejtori i Departamentit për administrim të sistemeve dhe komunikimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Artan Dreshaj.
Për ngritjen e kapaciteteve profesionale për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike, në Kuvendin e Kosovës është miratuar edhe Ligji për Sigurinë Kibernetike, që i ka hapur rrugë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike.
Drejtori i departamentit për administrim të sistemeve dhe komunikimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Artan Dreshaj, tha për Radio Kosovën se kërcënime dhe sulme ka në vazhdimësi ndaj sistemeve të informacionit, por që sipas tij, Kosova ka hartuar kapacitetet dhe politikat për të krijuar një hapësirë kibernetike të sigurt brenda shtetit.
“Janë finalizuar dy akte nënligjore shumë të rëndësishme që ndërlidhen me themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike, që do të jetë agjenci ekzekutive kombëtare, e cila do të kujdeset dhe monitorojë zbatimin e masave minimale të sigurisë prej të gjitha entiteteve. Në këtë rast, do të fokusohet tek infrastruktura kritike kombëtare. Tashmë është strukturuar rregullorja dhe është e aprovuar nga kryeministri. Aktualisht jemi duke punuar në përshkrimin e vendeve të punës, pra, do të jetë agjenci e re ekzekutive, me kapacitete të reja, që synon të monitorojë dhe parandalojë sulme të ndryshme kibernetike”, tha Artan Dreshaj.
