Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2024, Pendarovski: Mickoski po lut partitë e tjera
29.04.2024 13:31
E turpshme është që kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hirstijan Mickoski, shkon dhe i lut partnerët e tij të koalicionit...

E turpshme është që kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hirstijan Mickoski, shkon dhe i lut partnerët e tij të koalicionit që të transferohen votat e tyre tek Siljanovska Davkova në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Kështu tha kandidati për president, i udhëhequr nga koalicioni i LSDM-së, Stevo Pendarovski, në takim me qytetarët e komunës së Mavrovë - Rostushë. Vlerësoi se ky gjest është shumë nënçmues për votuesit maqedonas, të cilët në këto zgjedhje duhet të vendosin vetë ata, e jo ndonjë lider partie. Këtë gjest Pendarovski e vlerësoi si shenjë dobësie e opozitës, pasi që nuk janë aq të sigurt në vullnetin e lirë të qytetarëve për të vendosur mes të mirës dhe të keqes.
“Kryetari i partisë ka shkuar të lusë partitë tjera me të cilat kinse ka bërë koalicion qeveritar që t’ua transferojnë votat e tyre për kundërkandidatën. Nënçmim më i madh të qytetarëve maqedonas, të zgjedhësve maqedonas nuk kemi parë që moti. Të gjithë ofrojmë opsione politike, ofroj un, ofrojnë edhe të tjerët.”, - deklaroi kandidati për president nga LSDM, Stevo Pendarovski.
Pendarovski u shpreh i bindur se një pjesë e madhe e votave të dhëna më 24 prill për pesë kandidatët, më 8 maj do të transferohen me vullnetin e lirë të tyre për Pendarovskin. Ai nuk i shkon ndërmend që të lus liderët e partive politike për vota në rrethin e dytë.
LSDM: Në fokus, anëtarësimi në BE
Ndërkohë kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, duke folur për të arriturat dhe dështimet e LSDM-së gjatë qeverisjes së deritanishme, tha se fokusi kryesor i koalicionit “Për Ardhmëri Evropiane” ka qenë dhe mbetet anëtarësimi i vendit në BE. Kovaçevski, qytetarëve të Krushevës, mbrëmë u tha se vendi nuk ka rrugëdalje tjetër, përveç integrimit, ky është opsioni i vetëm, i cili duhet ndjekur dhe mund ta sigurojë vetëm LSDM-ja. Kovaçevski fton të gjithë qytetarët që më 8 maj pa kurrfarë hamendje të votojnë LSDM-në dhe Pendarovskin, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet realisht anëtarësimi në BE, të ndodhë ndryshimi real dhe thelbësor për të pasur një jetë më të mirë për të gjithë dhe u përbetua se është i gatshëm LSDM-në ta ndryshojë nëse fiton besimin e qytetarëve në këto zgjedhje.
“LSDM-ja është parti e fuqishme dhe e bashkuar, e cila ka rezistuar në kohëra të mira dhe të vështira, parti e cila ka kaluar të mirën dhe të keqen. Parti, e cila gjithmonë ka qenë në mbrojtje të atdheut, parti, e bërë nga materiale të forta, e cila është e gatshme të luftojë për të ardhmen e vendit.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Ndërkohë bartësi i listës në njësinë e pestë zgjedhore të LSDM-së, Jovan Mitrevski, tha se vendi ndodhet në udhëkryq si asnjëherë më parë, ku votuesit do të duhet të vendosin mes të ardhmes së sigurt evropiane ose stagnimit të vendit të cilin e premton opozita. Nuk do të jetë aspak e lehtë më 8 maj, tha Mitrevski, mirëpo u shpreh i bindur se me ndihmën e qytetarëve vendi do të mund të vazhdojë përcaktimin e filluar strategjik të LSDM-së, për ta parë vendin tërësisht të integruar në BE dhe me standarde të mira evropiane për të gjithë.
“Si vend asnjëherë nuk kemi kaluar lehtë, asnjëherë nuk kemi fituar lehtë dhe asnjë beteje në mënyrë të lehtë nuk e kemi fituar. Para qytetarëve tanë është edhe një vendim shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, ne kemi përgjegjësi për të ardhmen e atdheut. Shteti duhet të ecë para.”, - u shpreh bartësi i listës në njësinë zgjedhore 5 nga LSDM, Jovan Mitrevski.
Në kuadër të tubimit të djeshëm të koalicionit të LSDM-së në Krushevë, Kovaçevsi prezantoi edhe bartësit e të 6 njësive zgjedhore. Kovaçevski tha se LSDM-ja ka dëshmuar se është parti e cila merr vendime të guximshme pa menduar për rejtingun e partisë, por duke vendosur gjithmonë interesin shtetëror para atij partiak. Po ashtu vlerësoi se gjatë krizës energjetike dhe ekonomike, LSDM-ja ka ndërmarrë një sërë masash antikrizë në vlerë prej mbi 2.6 miliardë euro, me të cilat janë zbutur efektet negative tek qytetarët. Kanë rritur pagat, pensionet dhe kanë mbështetur kompanitë vendore ku bashkërisht kanë arritur të ruajnë vendet e punës. Njëherit Kovaçevski u zotua se po që se fiton besimin e qytetarëve në këto zgjedhje dhe arrin të bëjë përbërjen e re qeveritare do të përkushtohet shumë për t’i përzgjedhur kuadrot më cilësore dhe se do të bëjë ndryshimin e nevojshëm për të mos i zhgënjyer votuesit.
Koalicioni “Për Ardhmëri Evropiane” i udhëhequr nga LSDM-ja, sot vazhdon me fushatën parlamentare me moton “Nuk heqim dorë nga e ardhmja”, ndërsa takime me qytetarë dhe tubim do të mbahen në qytetin e Negotinës. Kandidati i koalicionit të LSDM-së, Stevo Pendarovski, i cili garon në rrethin e dytë për të fituar mandatin e dytë presidencial, në ndërkohë sonte vazhdon takimet dhe tubimet në Zhelinë dhe Tetovë ku parashikohet Pendarovski më hollësisht t’ua prezantojë qytetarëve programin dhe ofertën e tij presidenciale për pesë vitet e ardhshme. Motoja e Pendarovskit në zgjedhjet e 7-ta presidenciale është “Presidenti ynë”, ndërsa një ndër shtyllat kryesore të platformës së Pendarovskit, është hapërimi i vendit në rrugën eurointegruese, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe ndëretnike dhe premtimi se do te jetë president i të gjithëve. Nëse fiton besimin e qytetarëve, ai është zotuar se do të punojë shumë për të arritur konsensus politik mes liderëve politik për ndryshimet e nevojshme kushtetuese ku të gjithë së bashku do të ndjekin kursin eurointegrues.
REXHEP QAMILI
