Maqedoni
Zgjedhjet 2024, “E Majta” prezantoi programin në Shtip
29.04.2024 13:49
Synimi i “Së Majtës” në këto zgjedhje është që të rrëzojë VMRO-DPMNE-në nën 50 deputetë dhe LSDM-në nën 20...

Synimi i “Së Majtës” në këto zgjedhje është që të rrëzojë VMRO-DPMNE-në nën 50 deputetë dhe LSDM-në nën 20, duke e pasivizuar plotësisht LSDM-në, tha kryetari i “Së Majtës”, Dimitar Apasiev, gjatë tubimit në Shtip. Ai theksoi se synimi i tyre është të fitojnë tetë deri në dymbëdhjetë deputetë dhe siç tha ai, këto janë parashikimet dhe pritshmëritë reale të “Së Majtës”. Apasievi është i bindur se partia e tij do të mbajë kursin e maqedonizmit kundër të gjitha forcave antimaqedonase, që duan të përfshijnë bullgarët në Kushtetutë dhe të aplikojnë një parlament dydhomësh.
“Qëllimi i “Së Majtës” në këto zgjedhje është që të rrëzojë VMRO-DPMNE-në nën 50 deputetë dhe LSDM-në nën 20, duke e pasivizuar plotësisht LSDM-në. Qëllimi ynë është të hymë me tetë deri në dymbëdhjetë deputetë, këto janë parashikimet dhe pritshmëritë reale të “Së Majtës”, ndërsa kjo fushatë e tregon qartë këtë synim.”, - deklaroi kryetari i “Së Majtës”, Dimitar Apasiev.
Opsioni i vetëm për qytetarët është “E Majta”, pasi që në fokusin e saj janë qytetarët që janë në kushte të vështira ekonomike për shkak të biznes-politikës së keqe që është aplikuar në vend. Do të formojmë agjencia qendrore të planifikimit që do ta zhvillojnë vendin në mënyrë të barabartë, tha bartësi i listës në njësinë e 3-të zgjedhore, Kërmov.
“Planifikojmë që të gjitha rrjetet distributive t’i nacionalizojmë. E kam fjalën për rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, rrjetin e naftës për të gjithë dhe internetin. Duhet të ketë investime në ato rrjete shpërndarëse që vendi të ketë zhvillim.”, - theksoi bartësi në njësinë zgjedhore 3, Borislav Kërmov.
Gjithashtu dhjetë ditë para zgjedhjeve, “E Majta” u dërgoi partive maqedonase një ofertë për të nënshkruar një platformë të përbashkët me të cilën do të kundërshtonin partitë e shqiptarëve. “E Majta” e quan dokumentin "platforma maqedonase" dhe synimi është krijimi i një konsensusi kombëtar për të parandaluar "shantazhet ekzistuese gjatë formimit të Qeverisë, që vjen nga partitë shqiptare, nënshkruese të të ashtuquajturës platformë e Tiranës”. Sipas “Së Majtës”, qëllimi i kësaj platforme do të ishte “të ndalojë shpërbërjen e mëtejshme të Maqedonisë dhe shndërrimin e saj në gjysmë-protektorat”.
SANIJE DURAKU
