Gërvalla: Shkëmbimi i territoreve mund të çojë në luftë
Ideja e shkëmbimit apo e ripërcaktimit të territoreve....

Ideja e shkëmbimit apo e ripërcaktimit të territoreve mund të çojë në një luftë të re në Ballkan, ka deklaruar kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, për gazetën ukrainase “European Pravda”. Duke komentuar situatën në Kosovë dhe raportet e tensionuara me Serbinë, Gërvalla nuk e sheh si zgjidhje shkëmbimin e territoreve.
“Ky plan nuk zgjidh probleme, por krijon të reja për të gjithë rajonin. Precedenti i ndryshimit të kufirit në Ballkan mund të jetë shumë i rrezikshëm dhe mund të nisë një luftë të re.”, ka thënë Gërvalla.
Bislimi: Serbia vazhdimisht kërcënon me luftë hibride
Për gazetën e njëjtë ukrainase ka folur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sipas të cilit Kosova duhet të jetë vazhdimisht e gatshme për luftë hibride nga Serbia.
“Ne duhet të jemi gati për luftë. Po, një luftë konvencionale është e pamundur tani, pasi ne jemi të mbrojtur nga paqeruajtësit e KFOR-it. Megjithatë, siç ka treguar shembulli i Banjskës, një sulm hibrid gjithmonë mund të fillohet kundër nesh – dhe ne duhet të përgatitemi që kjo të ndodhë përsëri në çdo kohë.”, ka deklaruar Bislimi.
Sipas tij, ekzistojnë arsye për të besuar se Rusia ishte e përfshirë drejtpërdrejt në sulmin e Banjskës. (Gyltene Sinani, TVM2)
