ShBA, qindra të plagosur nga stuhitë e forta

29.04.2024 15:51

Tornado të fuqishme dhe jashtëzakonisht të rrezikshme....

Tornado të fuqishme dhe jashtëzakonisht të rrezikshme kapluan Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktën pesë persona, duke përfshirë një foshnjë katërmuajshe janë viktima të erërave të paprecedentë, kataklizmike.

Nga Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave në Oklahoma thonë se ka pasur raporte për lëndime, dëmtime materiale, përmbytje dhe rrëzim të linjave të energjisë elektrike dhe pemëve. Mijëra njerëz kanë mbetur pa shtëpi, energjia elektrike është ndërprerë, si dhe infrastruktura është shkatërruar plotësisht. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në 12 qarqe.

"Ne do të ngrihemi, do të pastrojmë dhe do të rindërtojmë. Megjithatë, këto janë dëmet më të mëdha që kam parë që kur jam guvernator. Ky lloj shkatërrimi është i paprecedentë.”, - deklaroi guvernatori i Oklahomas, Kevin Shtit.

“Del nga bodrumi, del lart dhe sheh që nuk ke shtëpi. Ju jeni në shtëpi, por në të vërtetë jeni të pastrehë.", - tha një banor i Omahas.

“Kjo është një ndjenjë fundosjeje. Kjo ishte shtëpia jonë e përhershme. Ne kishim lëvizur dy herë në dy vjet dhe duhej të përfundonim me të. Por, tani nuk ka asgjë nga shtëpia jonë.”, - u shpreh një banor i Omahas.

Shërbimi Meteorologjik Kombëtar njoftoi se disa nga tornadot arritën shpejtësinë mbi 200 kilometra në orë. Stuhitë të cilat përfshiheshin nga Teksasi në Misuri, gjithashtu panë deri në 18 cm shi në disa vende brenda disa orësh.

Oklahoma lindore, gjegjësisht, qyteti i Sulphurit u godit veçanërisht rëndë me shtëpi të rrafshuara dhe automjete të përmbysura. Të goditur rëndë janë edhe qytetet Nebraska, Iova dhe Teksasi. (Belinda Koka Ademi, TVM2)