Maqedoni

Zgjedhjet 2024, VMRO-DPMNE tubim në Kumanovë

30.04.2024 13:31

VMRO-DPMNE-ja ka vazhduar fushatën në Kumanovë, me ç’rast kandidatja presidenciale Gordana Siljanovska Davkova...

VMRO-DPMNE-ja ka vazhduar fushatën në Kumanovë, me ç’rast kandidatja presidenciale Gordana Siljanovska Davkova, ka deklaruar se nëse merr mandatin e presidentes, do të angazhohet për dialog me fqinjët. Është koha që ne në Ballkan të ndërtojmë respekt rajonal që bashkërisht t’i mbrojmë interesat tona, tha Siljanovska Davkova, e cila kërkoi të hidhet poshtë vetoja. Ajo tha se ka për qëllim që nga Maqedonia të bëjë vend të denjë për të jetuar. Njëherit potencoi se është me rëndësi që të rinjtë e bashkësive të ndryshme etnike të mos ikin nga vendi. 
 
“Nuk guxojmë t’i dhurojmë më të mirët nga Maqedonia jashtë vendit. Duhet të luftojmë për ta dhe shumë lehtë mund ta konfirmoni se kush ka program dhe projekt dhe kush nuk ka asgjë. Këta njerëz janë konsumuar.”, - deklaroi kandidatja për presidente nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Para kumanovarëve, lideri i VMRO-DPMNE-së paralajmëroi front kundër korrupsionit, kontrollin e pronës së gjykatësve dhe prokurorëve publik. Ai njëherit theksoi se pushteti aktual po i humb zgjedhjet dhe do të përgjigjen për keqmenaxhimin.
 
“Do të përgjigjen edhe për atë se Maqedoninë e sollën buzë varfërisë, për atë se 600 mijë qytetarë tanë jetojnë vetëm me 160 denarë në ditë. Për atë se kemi inflacion më të lartë në Evropë. Rekorder edhe për kriminalitet. Njëqind njerëz nga BDI-ja menaxhojnë me gjithçka në Maqedoni.”, - theksoi  kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Të pranishmëve iu drejtua edhe bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore Misallovski, i cili premtoi investime kapitale nëpër komuna në vlerë prej 250 milionë eurosh, si dhe rritje të pensioneve.
 
“Pensionistët që në vitin e parë do të fitojnë rritje lineare prej 5 mijë denarësh për të gjithë pensionistët. Po ashtu planifikojmë të hapim 50 mijë vende të reja të punës, do të ketë libra për të gjithë fëmijët, edhe në fillore edhe në të mesme. Do të ketë 50 milionë euro përkrahje direkte për sport.”, - u shpreh bartësi i listës në njësinë e 2-të zgjedhore, Misallovski.
 
Nga tubimi në Kumanovë nga VMRO-DPMNE-ja kërkuan mbështetje masive të qytetarëve më 8 Maj, si për zgjedhjet presidenciale, ashtu edhe për ato parlamentare.
 
FITORE DEMOLLI