Botë

Debati para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, u shpalosën programet politike të kandidatëve

30.04.2024 13:50

Në debatin e parë para zgjedhjeve evropiane të cilat do të zhvillohen në qershor....

Në debatin e parë para zgjedhjeve evropiane të cilat do të zhvillohen në qershor, kandidatët parashtruan agjendat politike për çështje si ndryshimet klimatike, siguria, lufta në Ukrainë, ekonomia dhe demokracia. Presidentja aktuale e KE-së, Ursula von der Lejen, që kandidon për mandat të dytë, u përball me një sërë kritikash për veprimet në mandatin e parë.
 
“Brukseli është kthyer në një moçal. Do të doja të filloja me ju, Ursula von der Lejen. Kryesimi juaj i komisionit ishte një fatkeqësi. Asnjë evropian nuk ka të drejtë të votojë për ju. Nëse do të vendoste grupi “Identiteti dhe Demokracia”, ju do të ishit i pari që do të shkarkoheshit pas zgjedhjeve.”, - deklaroi kandidati për partinë “Identiteti dhe demokracia”, Anders Vistisen.
 
Von der Lejen nuk tha zyrtarisht që nuk do të bashkojë forcat me konservatorët dhe reformistët evropianë për të formuar një shumicë në Parlamentin Evropian, i cili ka disa parti të ekstremit të djathtë në mesin e anëtarëve të tij. Von der Lejen ka qenë gjithashtu nën presion mbi Fajzergejt, pasi që përballet me akuza se nuk ishte transparente në shkëmbimin e mesazheve me tekst me gjigantin farmaceutik Fajzer gjatë pandemisë Kovid.
 
“Zonjusha Von der Lejen, janë hapur disa dosje kundër jush. Nëse emëroheni për mandatin e ardhshëm, a angazhoheni këtu që të jeni rrënjësisht transparent dhe të bashkëpunoni me prokurorinë në kuadër të dosjeve që u hapën?”, - theksoi kandidati i Lëvizjes politike krishtere evropiane, Valeriu Glieki. 
 
“Ne kemi një gjyqësor të pavarur. Dhe, sigurisht që gjyqësori krijon transparencën që është e nevojshme. Unë respektoj gjyqësorin tonë të pavarur.”, - u shpreh kandidatja për Partinë Popullore Evropiane, Ursula von der Lejen. 
 
Në debat u përfshi edhe tema rreth skandalit në bllokun gjerman. Kohët e fundit, kandidati kryesor i partisë së ekstremit të djathtë të Gjermanisë ka qenë nën hetim gjyqësor për lidhjet e tij me Kinën dhe Rusinë.
 
“Këtu kemi një person që qëndron aty në emër të grupit “Identiteti dhe Demokracia”. Të gjitha problemet po i shohim tani, që Rusia po blen ndikim mbi Alternativën për Gjermaninë. Ky është grupi juaj. Kina blen Partinë Flamane, që është pjesë e “Identitetit dhe Demokracisë”, ne shohim sesi Kina ndikon në Alternativën për Gjermaninë. Ne shohim Rusinë në Francë, në Austri. Ndoshta para se t'i mësoni të gjithë, pastroni shtëpinë tuaj.", - deklaroi kandidati për Partinë e Gjelbër Evropiane, Bas Eikhout. 
 
Ndërmjet 6 dhe 9 qershorit, mbi 370 milionë qytetarë të Bashkimit Evropian nga 27 vende do të votojnë për zgjedhjen e 720 anëtarëve të Parlamentit të ardhshëm Evropian. Pas zgjedhjeve, shtetet anëtare do të dalin me një emër nga grupi politik që ka mbledhur më shumë vota dhe do ta propozojnë atë person si presidentin e ardhshëm të Komisionit Evropian.
 
LEUNORA KALIQI