Maqedoni
Zgjedhjet 2024, “E Majta” shpalos programin në Manastir
30.04.2024 14:37
Kryetari i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, së bashku me bartësen e listës në njësinë zgjedhore 5, Jovana Mojsoska...

Kryetari i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, së bashku me bartësen e listës në njësinë zgjedhore 5, Jovana Mojsoska, kanë zhvilluar takime me qytetarët e Manastirit. Apasievi nga Manastiri ka thënë se në këto zgjedhje populli duhet të zgjedhë mes tri platformave: platformës së Sofjes, Tiranës dhe asaj të Maqedonisë. Ndërsa ripërsëriti se “E Majta” do të bëjë koalicion me një qeveri që do të pranojë vijat e kuqe në mbrojtje të shtetit maqedonas.
“Ju keni tre platforma që aktualisht garojnë në fushatën parlamentare. Platforma e parë është platforma tiranase, pas së cilës qëndrojnë parti neoballiste të pakicës shqiptare, pavarësisht nëse është BDI-ja, a është koalicion i VLEN-it, është i njëjti koncept, që çon në iredenetizmin dhe shpërbërjen e shtetit. Platforma e dytë është platforma e Sofjes pas së cilës qëndrojnë partitë borgjeze maqedonase: LSD-ja dhe DPMNE-ja. Dhe platforma e tretë që sot e shpallëm publikisht është një platformë maqedonase në 5 pika për ruajtjen e tërësisë territoriale, sovranitetit, unitaritetit dhe shenjave shtetërore.”, - deklaroi kryetari i “Së Majtës”, Dimitar Apasiev.
Jovana Mojsoska u ka bërë thirrje përfaqësuesve të DPMNE-së në prag të zgjedhjeve, “së bashku të mos lejojmë nënshkrimin e amendamenteve kushtetuese”.
“Në prag të zgjedhjeve më 8 maj, ne i zgjasim dorën VMRO-DPMNE-së që bashkërisht të mos lejojmë që të kalojnë ndryshimet kushtetuese dhe të pengohet përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë! “E Majta” është këtu dhe “E Majta” është e hapur për t'i rezistuar të gjitha shantazheve që vijnë nga jashtë, si dhe shantazheve që vijnë nga brenda, siç janë disa kërkesa për Kuvend dydhomësh.”, - theksoi bartësja në njësinë zgjedhore 5, Jovana Mojsoska.
Mojsoska bëri thirrje që bashkërisht të mbrohen interesat e Maqedonisë dhe popullit maqedonas. Të gjithë së bashku t'i vendosin vijat e kuqe ndaj të gjitha shantazheve për federalizmin e Maqedonisë, si dhe dëshirave të caktuara të disa partive politike, tha Mojsoska, duke iu referuar partive shqiptare që zgjedhja e presidentit të bëhet në Kuvend. Mojsoska theksoi se është e nevojshme t'i kthehet shkëlqimi Manastirit me rikthimin e infrastrukturës dhe decentralizimin e arsimit, në mënyrë që Manastiri edhe një herë të bëhet qendër studentore dhe arsimore dhe të rinjtë ta njohin të ardhmen e tyre në Manastir.
SANIJE DURAKU
