Maqedoni
FSSh në protestë paralajmëruese, kërkojnë harmonizim me pagën minimale
30.04.2024 14:50
Punonjësit e Fondit të Sigurimit Shëndetësor dolën në protestë paralajmëruese...

Punonjësit e Fondit të Sigurimit Shëndetësor dolën në protestë paralajmëruese për shkak të pakënaqësisë për mosharmonizimin e pagave me rritjen e pagës minimale. Punonjësit e FSSh-së kanë bërë të ditur se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, ata do të dalin në grevë nga 1 qershori. Ata kërkojnë që gjatë muajit maj të shkarkohet Bordi Drejtues dhe të emërohen anëtarë të rinj, të cilët do të lejojnë rregullimin e pagave të punonjësve, pra të mos reduktohen të ardhurat nga 1 qershori. Bëhet fjalë për një shumë prej 2,400 denarësh.
“Nëse kjo nuk ndodh deri më 15 maj, nga 15 maji do të fillojmë çdo ditë, në të gjitha qytetet e Republikës së Maqedonisë për një deri në dy orë, të kemi protesta paralajmëruese. Dhe tash e tutje njoftojmë se nga 1 qershori nëse nuk zgjidhet çështja, do të hyjmë në grevë të përgjithshme.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së punonjësve të Fondit Shëndetësor, Branko Axhigogov.
“Ata panë se çfarë ndodhi në shkurt kur Fondi i Shëndetësisë hyri në grevë për vetëm dy ditë. I bëj thirrje të gjithë përgjegjësve që të mos lejojnë këta punëtorë që janë pas nesh të mbyllin dyert, sepse nëse i mbyllin dyert do të vuajnë vetëm qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Ju e dini se çfarë shërbimesh ofron Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të Maqedonisë. Ne ndihmojmë dhe punojmë për rastet më të këqija në vend.”, - theksoi kryetari i Sindikatës së SPAGJShQ-së, Tërpe Deanoski.
Javën e kaluar Bordi Drejtues i Fondit mbajtën mbledhje ku në rend dite ka qenë rregullimi i pagave të punonjësve. Mirëpo, anëtarët e Bordit Drejtues votuan se nuk do të diskutohet për këtë, gjegjësisht e hoqën atë pikë nga rendi i ditës dhe e lanë të shqyrtohet pas zgjedhjeve.
VLORA LATIFI TOPOJANI
