Maqedoni

Zgjedhjet 2024, VLEN-i vazhdon fushatën derë më derë

30.04.2024 15:18

Koalicioni VLEN vazhdon fushatën për zgjedhjet presidenciale me takimet derë më derë....

Koalicioni VLEN vazhdon fushatën për zgjedhjet presidenciale me takimet derë më derë. Bartësi i listës në njësinë e parë zgjedhore, Izet Mexhiti, tha se në takimet me qytetarë së bashku me kandidatët tjerë për deputetë shpalosin programin, si dhe bashkëbisedojnë me qytetarët për problemet dhe zgjidhjen e tyre. Mexhiti dhe ekipi i tij kanë vizituar tregun e gjelbër në qendër të Shkupit, për të vazhduar në fshatrat e Karshiakës. Ai njëherit u ankua për provokime nga pushteti.
 
“Erdhën për të provokuar para shtabit të VLEN-it te sheshi “Skënderbeu”. Paraprakisht ne e caktuam tubimin në sheshin “Skënderbeu”, ata në të njëjtën kohë e caktuan në sheshin “Maqedonia”. Ne si opozitë për t’i ikur incidentit e anuluam, shkuam në Gostivar, të nesërmen e bëmë në Shkup. Erdhën provokuan para komunës së Çairit.”, - theksoi bartësi i listës në njësinë e 1-rë zgjedhore, Izet Mexhiti.
 
Nga VLEN-i thonë se edhe tubimin përmbyllës në sheshin “Iliria” në Tetovë e kanë caktuar sipas rregullave më 6 maj. Ndërsa bartësi i listës në njësinë e gjashtë zgjedhore të këtij koalicioni, Bilall Kasami, ka qëndruar në Gostivar ku ka shpalosur programin e VLEN-it. 
 
“Jemi këtu në sheshin e Gostivarit që të bashkëbisedojmë me rininë për problemet, hallet e tyre dhe të ndërtojmë një strategji fituese, strategji e cila do të jetë në interes të rinisë, veçanërisht sepse për ne rinia ka një theks të veçantë në program.”, - deklaroi bartësi i listës në njësinë e 6-të, Bilall Kasami.
 
Bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore të VLEN-it, Afrim Gashi, ka bërë të ditur se brenda një mandati synohet që paga minimale të jetë rreth 800 euro. 
 
“Të mos jetë pensioni më i ulët se paga minimale, ky pension të jetë i nivelizuar. Krahas reformave në arsim synojmë shumë, e kemi me rëndësi edhe dinjitetin e arsimtarit dhe të mjekut, domethënë t’i rrisim pagat.”, - u shpreh bartësi i listës në njësinë e 2-të, Afrim Gashi.
 
Nga VLEN-i njëherit theksojnë përcaktimin e palëkundur për integrimin e vendit në BE, si dhe luftën kundër korrupsionit, që do të përshpejtohej me procesin euro-integruese të vendit. 
 
FITORE DEMOLLI