Botë

Takim ministror i BE-së, Gërvalla: Kosova, kampione e demokracisë

30.04.2024 15:51

Kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla, me ftesë të Presidencës belge të Këshillit të BE-së...

Kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla, me ftesë të Presidencës belge të Këshillit të BE-së, po merr pjesë në takimin ministror të BE-së në Bruksel, në 20-vjetorin e zgjerimit, kur 10 shtete të reja anëtare iu bashkuan Bashkimit Evropian në vitin 2004. Gërvalla para takimit tha se në takim do të diskutohet edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
 
“Do të kemi një diskutim të hapur dhe të sinqertë për sundimin e ligjit, integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera aspirante për anëtarësim ne BE dhe për të diskutuar për nivelin e standardeve demokratike dhe standardeve të sundimit të ligjit, që janë të nevojshme të përmbushen përpara se të bashkohemi të gjithë së bashku, në familjen evropiane. Shpresoj se biseda e sotme do të jetë konstruktive dhe se Republika e Kosovës, si kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit, mund të kontribuojë në vendosjen e standardeve të reja për anëtarët e rinj.”, - deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
 
Gjatë sesioneve do të diskutohet rreth sfidave, nevojave dhe praktikave më të mira dhe reformave të sundimit të ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së. Në këtë takim, i cili mbledh ministrat e shteteve anëtare të BE-së dhe atyre me perspektivë anëtarësimi, Republika e Kosovës do të paraqesë të arriturat e saj në procesin e integrimit në BE, reformat e thella të ndërmarra në sundim të ligjit dhe fusha të tjera, të evokojë rreth proceseve nëpër të cilat po kalojmë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
 
GYLTENE SINANI