Botë

Vazhdojnë përplasjet mes Rusisë dhe Ukrainës, Zelenski: Ukraina së shpejti pjesë e BE-së

30.04.2024 16:06

Ëndrra për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian së shpejti do të bëhet realitet për Ukrainën...

Ëndrra për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian së shpejti do të bëhet realitet për Ukrainën dhe shtetet e Ballkanit, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, tha presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, në një video-përshëndetje në një konferencë kushtuar 20 viteve të Republikës Çeke në BE.
 
"Evropa jonë është bashkim vullnetar i kombeve, komuniteteve dhe miliona njerëzve shumë të ndryshëm. Nuk është një kompromis i disave nga më të fuqishmit pas shpinës. Evropa nuk është diçka që mund të imponohet me propagandë ose të mbahet me forcë. Kjo është diçka që Moska refuzon ta kuptojë dhe e karakterizon pikërisht kufirin lindor të Evropës.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Ukrainë, tha se anëtarët e Aleancës nuk i përmbushën premtimet e tyre në lidhje me ndihmën ushtarake për Kievin. Stoltenbergu dhe Zelenski konfirmuan ndihmën shtesë.
 
"Për muaj të tërë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord për një paketë dhe aleatët evropianë nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë municione në shkallën që kemi premtuar. Por, nuk është tepër vonë që Ukraina të fitojë. Më shumë mbështetje është në rrugë e sipër.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. 
 
Vazhdojnë përleshjet në Kharkiv, Lugansk, Donjeck, Kherson, Mykolaiv, si dhe në Zaporozhie. Të paktën katër persona humbën jetën në një sulm me raketa në Odesa. Sipas ushtrisë ruse është marrë nën kontroll nga ana e tyre një fshat në rajonin e Donjeckut.
 
GAZMEND REXHEPI