Botë

Antoni Blinken: Shpresojmë që Hamasi të pranojë armëpushimin

30.04.2024 17:10

Gjetja e një zgjidhjeje të nevojshme, e cila do ti lejojë izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në paqe...

Gjetja e një zgjidhjeje të nevojshme, e cila do ti lejojë izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në paqe, ishte temë e forumit ekonomik botëror në Riad. Izraeli duhet të bëjë më shumë për të rritur fluksin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, tha sekretari amerikan i Shtetit, Blinken.
 
“Ne kemi parë përparim në javët e fundit, duke përfshirë hapjen e kalimeve të reja dhe një vëllim të shtuar të dërgesave të ndihmave në Gazë, si dhe ndërtimin e korridorit detar amerikan, i cili do të hapet në javët e ardhshme. Por, kjo nuk mjafton.”, - theksoi sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken. 
 
Bisedimet për armëpushimin vazhdojnë në Kajro. Propozimi i fundit i Izraelit, i paraqitur në Hamas, përfshin një armëpushim 40-ditor dhe lirimin e mijëra të burgosurve palestinezë. Ndërkohë Shërbimi i Mbrojtjes Civile Palestineze tha se më shumë se 10 mijë njerëz janë ende të zhdukur nën rrënojat në të gjithë Rripin e Gazës, që nga fillimi i sulmit izraelit kundër Gazës më 7 tetor, ndërsa numri i viktimave shënon mbi 34 mijë persona. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gazë.
 
LEUNORA KALIQI