Botë

Procesi i zgjerimit të BE-së, Kosova e gatshme për statusin e kandidatit

02.05.2024 11:53

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian ka folur për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kryeministri shtoi se planin e zgjerimit të BE-së e shohin si hap të duhur në drejtim të duhur, derisa përsëriti se masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të largohen.
 
“Pas një dekade stagnimi, zgjerimi i Bashkimit Evropian është kthyer në agjendë. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka rikthyer rëndësinë e zgjerimit të BE-së. Në dhjetor të vitit 2023 samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor rikonfirmoi të ardhmen e rajonit tonë në BE, tha Kurti. Ai u shpreh se anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon, ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Evropian. Kosova është e gatshme jo vetëm për statusin e kandidatit, por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt drejt anëtarësimit.”, u shpreh kryeministri Kurti.
 
Ai më tutje theksoi se anëtarësimi në BE është zgjedhje strategjike.
 
“Ne kemi bërë zgjedhje, andaj agjenda e reformave evropiane në qeverinë tonë që nga fillimi i mandatit është trajtuar me shumë seriozitet. Shumë reforma e ligje e strategji janë mbyllur. Kemi zbatuar mbi 70% të reformave që kemi planifikuar së bashku me komisionin evropian ose 245 nga 341 reforma të planifikuara.”, tha Kurti.
 
Ai shtoi se javën e kaluar BE-ja ka aprovuar planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor që ka dy qëllime të përshpejtojë zhvillimin socio-ekonomik të rajonit me BE dhe në këtë mënyrë të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE, tha Kurti.