Botë
ShBA-ja akuzon Rusinë: Shkeli traktatin për ndalimin e armëve kimike
02.05.2024 12:39
Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë se ka shkelur traktatin për ndalimin e armëve kimike gjatë luftës në Ukrainë...

Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë se ka shkelur traktatin për ndalimin e armëve kimike gjatë luftës në Ukrainë, duke përdorur kundër forcave ukrainase një substancë kimike mbytëse, si dhe një sërë agjentësh kimikë për kontrollin e trazirave, si “mjete lufte” në Ukrainë.
“Përdorimi i këtyre lëndëve nuk është një rast i izoluar dhe ka të ngjarë të nxitet nga synimet e trupave ruse për të zhvendosur forcat ukrainase nga pozicionet e fortifikuara dhe për të arritur fitore taktike në fushën e betejës.”, tha Departamenti i Shtetit nëpërmjet një deklarate.
Substanca kimike kloropicrinë është një irritues me karakteristika të një gazi lotsjellës dhe është listuar si substancë e ndaluar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike me bazë në Hagë, e krijuar për mbikëqyrur zbatimin e Konventës së 1993 për Armët Kimike. Sipas të dhënave ukrainase, 500 ushtarë kanë marrë kujdes mjekësor për ekspozim ndaj substancave toksike dhe një ushtar ka vdekur si pasojë e mbytjes nga gazi lotsjellës. Rusia ka mohuar përfshirjen në të dyja rastet.
Në deklaratë thuhej se Departamenti i Shtetit ka përcaktuar se Rusia ka shkelur edhe ndalimin e përdorimit të agjentëve kimike për kontrollin e trazirave si mjet lufte. Departamenti njoftoi se do të vendoste sanksione ndaj tre entiteteve shtetërore ruse të lidhura me programet e armëve kimike dhe biologjike. Sanksione u vunë edhe ndaj 4 kompanive që mbështesnin këto tre entitete.
