Maqedoni
Zgjedhjet 2024, KShZ-ja vazhdon me përgatitjen e zgjedhjeve
02.05.2024 13:58
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve po vazhdon me aktivitetet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare....

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve po vazhdon me aktivitetet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. KShZ-ja ia ka dorëzuar materialin e votimit për votim në PVD personit të autorizuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në zgjedhjet e dyfishta të 8 majit, qytetarët kanë të drejtë vetëm njëherë të paraqiten nëpër vendvotime. Nga KShZ-ja bëjnë të ditur se natën e 8 majit, rezultatet e zgjedhjeve mund të dihen deri në mesnatë, duke marrë parasysh ndryshimet që KShZ-ja i ka bërë gjatë periudhës së kaluar, por edhe përvojës me zgjedhjet paraprake.
“Kemi ndërmarrë masa për këto zgjedhje që të përforcojnë harduerin, që njëkohësisht të pranojë sa më shumë informacione, kemi trajnuar më shumë njerëz në terren. Kemi të trajnuar rreth 1,700 njerëz që të fusin të dhënat për të gjithë, në bashkëpunim me Entin e Statistikës, kemi siguruar 1,700 laptopë. Gjithashtu që të përshpejtohet procesi zgjedhor nëpër vendvotime, në vend të 5 personave do të ketë 7, kurse gjatë numërimit do të jenë të gjithë të pranishëm.”, theksojnë nga KShZ-ja.
Më 30 prill, personat e sëmurë dhe të pafuqishëm përfunduan regjistrimin për të votuar dhe deri më 4 maj në mesnatë. Ata, së bashku me personat që vuajnë dënimin me burg ose janë në paraburgim, si dhe të regjistruar nga diaspora, votojnë një ditë para ditës së zgjedhjeve apo më 7 maj. Zgjedhjet e 11-ta me radhë parlamentare mbahen më 8 maj bashkë me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Fushata për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare përfundon të hënën e 6 majit në mesnatë.
FLUTURA LATIFI
