Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2024, Pendarovski në Shtip
02.05.2024 15:24
Kandidati për president i koalicionit “Për Ardhmëri Evropiane” i mbështetur nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski...

Kandidati për president i koalicionit “Për Ardhmëri Evropiane” i mbështetur nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski, vazhdoi fushatën zgjedhore në qytetin e Shtipit për të fituar mandatin e dytë presidencial. Pendarovski pas prezantimit më të hollësishëm të programit të tij zgjedhor u kërkoi qytetarëve që më datë 8 maj të jenë vigjilent dhe të votojnë për ta, duke ua shpjeguar rëndësinë e votimit të tyre për Pendarovskin, sepse siç tha ai, vetëm në këtë mënyrë garantohet e ardhmja evropiane e vendit. U shpreh i bindur se më 8 maj do të fitojë besimin më të madh të qytetarëve. Adresoi kritika për kundërkandidaten e tij, Siljanovska Davkova dhe VMRO-DPMNE-në.
“Vetëm paramendoni me mospjesëmarrjen tuaj ose me votimin tuaj të pamenduar për atë që premtojmë shumëçka, a nuk do ta përsërisni regjimin dhe a nuk do të plakemi me këtë regjim të numrit 2, siç e quaj unë ku nuk do të ketë demokraci dhe rinia do të shpërngulet.”, - deklaroi kandidati për president – LSDM, Stevo Pendarovski.
Kovaçevski: Mbështesim kompanitë vendase
Në ndërkohë kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, në takim me përfaqësuesit e OEMVP-së në Shkup, tha se do të vazhdojë bashkëpunimin e tij edhe në të ardhmen, gjithmonë duke mbështetur afaristët dhe punëtorët e këtij vendi. Tha se garnitura aktuale e LSDM-së ka mbështetur sektorin e biznesit me shumë pako ekonomike dhe u premtoi njëherit se po që se LSDM-ja formon përbërjen e re qeveritare, gjatë mandatit të ardhshëm qeveritar do të derdhen edhe shumë miliona tjera mbështetje për sektorin e biznesit, u tha Kovaçevski afaristëve.
“Gjatë viteve të kaluar kemi siguruar përkrahje financiare prej 100 mijë eurosh për kompanitë vendase, mbështetje e cila paraprakisht nuk ka ekzistuar. Gjatë mandatit të ardhshëm katër vjeçar planifikojmë mbështetje prej 180 milionë eurosh, që do të hap cikël të ri investimesh tek kompanitë vendase. Po ashtu biseduam edhe për sigurimin e fuqisë punëtore shtesë, sepse duhet të jemi të vetëdijshëm se ne trashëguam papunësi prej 25 për qind, tani është 12 për qind, ndërsa e parashikojmë që të ulët në 7 për qind deri në 2028-tën që do të thotë se në Maqedoni, respektivisht në industritë do të paraqitet mungesë e fuqisë punëtore, e cila do të duhet të sigurohet nga jashtë.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Më anëtarësimin e RMV-së në BE më së shumti do të përfitojë sektori i biznesit dhe punëtorët, tha Kovaçevski, duke thënë se është me shumë rëndësi që më 8 maj, të mbështetet koncepti i LSDM-së, i cili garanton zhvillim të madh ekonomik dhe hapërimi i sigurt të vendit drejtë familjes së madhe evropiane. Sa i përket ashpërsimit të retorikës nacionaliste ditëve të fundit të fushatës zgjedhore, Kovaçevski i dënoi këto duke thënë se të njëjtat janë të panevojshme dhe që kthejnë vendin prapa në një të kaluar të errët. Gjatë kësaj fushate, Kovaçevski disa herë ka përmendur se gjatë krizës energjetike dhe ekonomike, LSDM-ja ka ndërmarrë një sërë masash antikrizë në vlerë prej mbi 2,6 miliardë euro, me të cilat janë zbutur efektet negative tek qytetarët. Kanë rritur pagat, pensionet dhe kanë mbështetur kompanitë vendore ku bashkërisht ka arritur të ruajnë vendet e punës. Njëherit Kovaçevski është përbetuar se po që se fiton besimin e qytetarëve në këto zgjedhje dhe arrin të bëjë përbërjen e re qeveritare do të përkushtohet shumë për t’i përzgjedhur kuadrot më cilësore dhe se do të bëjë ndryshimin e nevojshëm për të mos i zhgënjyer votuesit.
Koalicioni “Për Ardhmëri Evropiane”, i udhëhequr nga LSDM, sot vazhdon me fushatën parlamentare me moton “Nuk heqim dorë nga e ardhmja”. Kandidati për president i koalicionit të LSDM-së, Stevo Pendarovski sonte vazhdon takimet dhe tubimet në komunën Qendër të Shkupit, ku parashikohet më hollësisht t’ua prezantojë qytetarëve programin dhe ofertën e tij presidenciale për pesë vitet e ardhshme. Motoja e Pendarovskit në zgjedhjet e 7-ta presidenciale është “Presidenti Ynë”, ndërsa një ndër shtyllat kryesore të platformës së Pendarovskit, është hapërimi i vendit në rrugën eurointegruese, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe ndëretnike dhe premtimi se do të jetë president i të gjithëve. Përveç kësaj, po që se fiton besimin e qytetarëve, ai është zotuar se do të punojë shumë për të arritur konsensus politik mes liderëve politik për ndryshimet e nevojshme kushtetuese ku të gjithë së bashku do të ndjekin kursin eurointegrues.
REXHEP QAMILI
