Maqedoni
Zgjedhjet 2024, VMRO – DPMNE prezanton programin në Dibër
02.05.2024 15:43
Bartësi i listës së kandidatëve për deputetë nga VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni “Maqedonia Jote”, Dragan Kovaçki...

Bartësi i listës së kandidatëve për deputetë nga VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni “Maqedonia Jote”, Dragan Kovaçki, nga qyteti i Shën Nikollës premtoi projekte infrastrukturore, në arsim, por pa anashkaluar edhe zhvillimin e bujqësisë. Sipas tij, zotimi i VMRO-DPMNE-së është jetë më e mirë për qytetarët.
“Për Shën Nikolën parashikojmë ndërtimin e gazsjellësit nëpërmjet magjistrales deri në Veles, rikonstruim dhe zgjerim në rrugën deri në Probishtip, rikonstruim të kopshtit dhe 8 milionë euro për komunën e Sveti Nikolës. Të nderuar qytetarë, për bujqit e kësaj ane, por edhe për të gjithë bujqit, parashikojmë 800 milionë euro.”, - theksoi bartësi i listës në njësinë e 3-të zgjedhore nga VMRO-DPMNE, Dragan Kovaçki.
Sipas kryetarit të partisë, Hristijan Mickoski, pas 8 majit vjen koha kur do të sundojë drejtësia dhe pushteti do të duhet të dalë para drejtësisë. Mickoski disa herë është zotuar se do të angazhohet që Maqedonia të jetë e të gjithëve, pa marrë parasysh ndasitë midis njerëzve.
“Mos lejoni që të ndahen votat e opozitës. Mblidhuni të gjithë rreth numrit 2. Të gjithë së bashku të qëndrojmë prapa numrit 2 dhe fuqisë së vetme dhe të vërtetë, e cila mund ta transformojë Maqedoninë.”, - u shpreh kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Edhe kandidatja për presidente, Gordana Siljanovska Davkova, është zotuar se do të jetë presidentja e të gjithë qytetarëve.
“Kur ne kemi thënë Maqedonia jote, Maqedonia krenare, kjo ka qenë nacionalizëm ekstrem, pasi kemi menduar vetëm maqedonasin. E përse atëherë, unë kërkova që të përkthehet program edhe në gjuhën shqipe, turke?!”, - deklaroi kandidatja e VMRO-së për presidente, Gordana Siljanovska Davkova.
VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni kanë premtuar dhënien fund të varfërisë, pasi sipas tyre 80 mijë qytetarë të vendit jetojnë me 60 denarë në ditë. VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni, sot prezantojnë programin zgjedhor në Dibër. Tubimet pastaj do të shtrihen në komunat Mavrovë- Rostush, Gostivar dhe qytetin e Tetovës.
MERAL ISMAILI
