Maqedoni
Zgjedhjet 2024, VLEN-i vazhdon fushatën, Gjykata Administrative e pranon ankesën e VLEN-it
02.05.2024 15:59
Kryetari i Lëvizjes Demokratike njëherit edhe bartës i listës në njësinë e parë zgjedhore i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti....

Kryetari i Lëvizjes Demokratike njëherit edhe bartës i listës në njësinë e parë zgjedhore i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj deklaratave për hetim ndërkombëtar ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së të kandidates për presidente nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova. Ndërkohë Mexhiti thotë se pajtohet me kritikat për korrupsion ndaj pushtetit, përfshirë dhe BDI-në.
“Reagimi ishte ndaj kandidates për kryetare, ndërsa deri tani nga pala tjetër nuk ka pasur retorikë të tillë. Në momentin kur flasim për dukuritë negative për korrupsionin për aferat korruptive të BDI-së, aty nuk sulmohen shqiptarët, ajo është e vërtetë dhe duhet ta luftojmë bashkërisht.”, - deklaroi bartësi i listës në njësinë e 1-rë nga VLEN-i, Izet Mexhiti.
Kandidati për deputet, Bekim Sali, thotë se koalicioni VLEN ka në program edhe avancimin e gruas dhe mbështetjen e familjes.
“Do ta rrisim kuotën e përfaqësimit për gratë në të paktën 40% të të gjitha pozicioneve të emëruara në të gjitha nivelet e pushtetit qendror. Qeverisja VLEN do të mundësojë që të gjitha familjet të marrin nga njëmijë denarë në muaj shtesë për secilin fëmijë.”, - theksoi kandidati për deputet në njësinë e 1-rë nga VLEN-i, Bekim Sali.
Në programin e VLEN-it parashihet edhe modernizimi i arsimit, thotë kandidati për deputet në njësinë e 6-të zgjedhore, Halil Snopçe.
“Do të arrihet modernizimi i arsimit. Digjitalizimi në arsim do të mundësojë të pajisen me aftësi të nevojshme për një ekonomi digjitale, duke përafruar sistemin tonë arsimor me standarde evropiane dhe duke rritur mundësitë për të rinjtë tanë. Nën tre, rritje e konkurrencës ekonomike.”, - u shpreh kandidati për deputet në njësinë e 6-të nga VLEN-i, Halil Snopçe.
Ndërkohë koalicioni VLEN njoftojnë se Gjykata Administrative e ka pranuar ankesën e tyre në lidhje me vendvotimin në Likovë, ku sipas tyre ka pasur mbushje të kutisë, përmes teknikës së njohur si “tren bullgar”. Rezultatet nga organizimi i votimit në vendvotimin 1112/1 në Komunën e Likovës, sipas listave për kandidat për president nga zgjedhjet presidenciale 2024, anulohen.
FLORIJE KAMBERI
