Odesa, vazhdojnë për disa ditë me radhë sulmet ruse, ShBA-ja akuzon Rusinë: Shkeli traktatin për ndalimin e armëve kimike
Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë...

Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë se ka shkelur traktatin për ndalimin e armëve kimike gjatë luftës në Ukrainë duke përdorur kundër forcave ukrainase një substancë kimike vrasëse, si dhe një sërë agjentësh kimikë.
Ndërsa, Kremlini mohon këto akuza.
"Kemi parë lajmin për këtë. Si çdoherë, akuzat e tilla janë plotësisht pabazë dhe të paqëndrueshme në asgjë. Rusia ka qenë dhe mbetet e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj sipas ligjit ndërkombëtar në fushën e përmendur.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Ndërkohë po intensifikohen luftimet për Chasov Yar, bastionin strategjik të ukrainasve, ku Moska ka vendosur 25,000 trupa pranë qytetit. Ministri rus i Mbrojtjes, Shoigu, urdhëroi dërgimin e menjëhershëm të armëve në front. Kievi pretendon se forcat ukrainase shkatërruan dy sisteme ruse kundërajrore Buk në zonën e Sumy dhe goditën dy rafineri në territorin rus. Zelenski tha se po punon për 7 marrëveshje të reja sigurie me aleatët, duke përfshirë një me Shtetet e Bashkuara.
“Ne po përgatisim shtatë dokumente të reja të sigurisë për vendin tonë – armë, financa, bashkëpunim politik. Ne tashmë kemi tekste paraprake për disa prej tyre - ato do të jenë struktura jonë e sigurisë derisa të hyjmë në NATO.", - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ditëve të fundit kanë vazhduar sulmet ruse drejt Odesës që shkaktuan vdekjen e disa personave, plagosjen e dhjetëra të tjerëve dhe janë shkaktuar dëme në infrastrukturë. (Leunora Kaliqi, TVM2)
