Botë

“Reporterët pa kufij”, Shqipëria, e fundit në rajon për lirinë e shtypit, Kosova radhitet e 75-ta

03.05.2024 11:11

Organizata “Reporterët pa kufij” ka publikuar raportin vjetor në lidhje me gjendjen e lirisë së shtypit...

Organizata “Reporterët pa kufij” ka publikuar raportin vjetor në lidhje me gjendjen e lirisë së shtypit në botë ku ka shprehur shqetësimin për kërcënimin që ajo po merr nga politika.

Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke u renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Evropian. Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Organizata “Reporterët pa kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri është i vështirë. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta. 
 
Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta. Norvegjia renditet e para për të tetin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria dhe Eritrea.