Maqedoni
Zgjedhjet 2024, VMRO-DPMNE me tubim në Tetovë
03.05.2024 13:49
VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia Jote”, para banorëve të Tetovës u zotuan për rritjen e standardit...

VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia Jote”, para banorëve të Tetovës u zotuan për rritjen e standardit dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit. Bartësja e listës në njësinë e gjashtë zgjedhore, Dafina Stojanovska, tha se tani është koha për unifikim, me qëllim rrëzimin e pushtetit aktual dhe dhënies fund vjedhjes së popullatës. Sipas saj, tani është koha për kthimin e lirisë dhe drejtësisë.
“Më 8 maj s’do të ketë persona të shantazhuar dhe korruptuar. Askush më nuk ua ka frikën, e as që do paratë e tyre të ndyra. Të gjitha paratë, deri në denarin e fundit do t’ua kthejnë qytetarëve, ashtu siç do t’ua kthejnë edhe shtetin. Mjaft ishte në robërinë e tyre.”, - deklaroi bartësja e listës në njësinë e 6-të zgjedhore, Dafina Stojanovska.
Kryetari i VMRO – DPMNE-së vuri theksin në varfërinë, që sipas tij do të duhet të marrë fund nëpërmjet politikave progresive. Sipas tij, do të duhet të përfundojë edhe ikja e qytetarëve. Mickoski deklaroi se me ardhjen në pushtet, një përqindje të theksuar do të ndajë për zhvillimin dhe zgjidhjen e projekteve infrastrukturore disa dekadëshe të Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe Dibrës.
“250 milionë euro do të shkojnë për zhvillim infrastrukturor të komunave. Një pjesë do të dedikohet pikërisht për qytetet që përmenda. Njësoj do të ndërtojmë dhe punojmë për zhvillimin e Novo Sellës e Shtipit, por edhe Tearcës e Tetovës, për Kuklishin e Strumicës, por edhe për Odrin në Tetovë.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Kandidatja për presidente, Gordana Siljanovska Davkova, hapat e parë si presidente do t’i shtrijë në avancimin e politikave rajonale.
“Ballkani është shtëpia jonë e përbashkët. Problemet që kemi janë me karakter ballkanas dhe unë do të përpiqem që nëpërmjet dialogut që të iniciojë fillimin e një forme të re të politikave të përbashkëta rajonale.”, - u shpreh kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente, Gordana Siljanovska Davkova.
VMRO-DPMNE-ja nuk do të lë anash as gjyqësorin, rritjen e ekonomisë deri në 5%, si dhe hapjen e 55 mijë vendeve të reja të punës.
MERAL ISMAILI
