Maqedoni

Zgjedhjet 2024, “E Majta” vazhdon fushatën parlamentare

03.05.2024 15:44

Partia “E Majta” vazhdon aktivitetet parazgjedhore në të gjitha njësitë zgjedhore në kërkim të mbështetjes nga qytetarët...

Partia “E Majta” vazhdon aktivitetet parazgjedhore në të gjitha njësitë zgjedhore në kërkim të mbështetjes nga qytetarët për kandidatët e saj për deputetë. Borisllav Kërmov, bartës i listës së njësisë së tretë zgjedhore, duke shpalosur programin për bujqësinë premtoi qendra shtetërore të grumbullimit. 
 
“Për bujqit çka është më e rëndësishme të kemi qendra shtetërore të grumbullimit, që bujqit të mund të fitojnë çmime korrekte. Bujqit më tregojnë, merreni vetëm qumështin, çmimi është sjellë në nivel që të jetë më i lirë se uji i ambalazhuar.”, - theksoi bartësi i listës në njësinë e 3-të nga “E Majta”, Borsillav Kërmov.
 
Nga “E Majta” nuk kanë munguar edhe kritikat në adresë të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Sashko Jançev, bartës i listës në njësinë e katërt zgjedhore, vlerësoi se LSDM-ja është parti e  dështuar, pasi e ka shkelur interesin e popullit të saj për interesin e ambasadave. Ndërsa ambasadat në fund ia kanë themeluar Lëvizjen “E di”, tha Jançevi. Ai e kritikoi edhe LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në se janë fajtore për amnistimin e rasteve të Hagës, Marrëveshjen e Prespës apo atë me Bullgarinë. 
 
“Populli në Meçkin Kamen grumbullohej për të shprehur mospajtim me marrëveshjen e Prespës, ndërsa Mickoski bënte shëtitje. Në prag të referendumit derisa 11 muaj udhëheqnim fushatë për bojkot, ai rrinte në heshtje dhe e priste ditën e referendumit dhe pasdite iu kujtua të dalë e të thotë se do të bojkotojë.”, - u shpreh bartësi i listës në njësinë e 4-të nga “E Majta”, Sashko Jançev.
 
Aktivitetet parazgjedhore të “Së Majtës” nuk mungojnë edhe në njësinë e gjashtë zgjedhore. Bartësi i listës, Igor Dimeski, ka thënë se mbrojtësit maqedonas janë lënë në harresë nga institucionet.  
 
“T’u them jam i habitur se në çfarë niveli janë lënë nga shteti, ata  janë qytetarë të rendit të dytë. Ligji që është miratuar e që është ligj i keq nga viti 2002, edhe ashtu i keq, ai nuk respektohet fare.”, - deklaroi bartësi i listës në njësinë e 6-të nga “E Majta”, Igor Dimeski.
 
Dimeski njëherit vlerëson se nevojitet një ligj i ri, që do të rregullonte këtë çështje. 
 
FLORIJE KAMBERI