Brazili jugor nën ujë, shpërthen diga, dhjetëra të vdekur dhe të zhdukur
Pas disa ditëve reshje shiu të rrëmbyeshëm në Brazilin jugor....

Pas disa ditëve reshje shiu të rrëmbyeshëm në Brazilin jugor, është shembur një digë hidroelektrike që ka shkaktuar përmbytje masive, duke marrë jetën e më shumë se 30 njerëzve.
Mbi 60 persona të tjerë konsiderohen të zhdukur në Rio Grande de Sul. Rreth 15,000 banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Të paktën 500,000 njerëz janë pa energji dhe ujë të pastër në të gjithë vendin. Diga e shpërthyer shkaktoi një valë dy metra, duke përhapur panik dhe dëme në zonat tashmë të përmbytura. Diga ndodhet midis komunës së Cotipora dhe qytetit të Bento Gonçalves.
Moti ekstrem është shkaktuar nga një kombinim i rrallë i temperaturave më të nxehta se mesatarja, lagështia e lartë dhe erërat e forta.
“Nuk mund ta përshkruaj atë që ndodhi, gjithçka ndodhi aq shpejt sa nuk mund të ndërmerrje asgjë. Isha e shtangur dhe nuk dija si të veproj, nëse duhet të ikja apo të prisja vdekjen.”, - u shpreh një banore.
"Unë jam prej këtij vendi, kështu që më vjen keq për të gjithë ata që jetojnë këtu, pasi e di çfarë tmerri kemi përjetuar. Është shumë e trishtueshme dhe është për keqardhje e gjithë kjo po ndodh, është zemërthyese.", - tha banorja, Maria Luiza.
"Kam ardhur këtu për të ndihmuar njerëzit, për t'i nxjerrë njerëzit nga përmbytja, sepse është luftë për jetë a vdekje atje poshtë. Është shumë e rrezikshme, ka rryma të forta uji që të rrëmbejnë, prandaj kam sjellë një varkë 6 metra dhe një motor 15 metra, me të cilën, po i nxjerrim njerëzit jashtë.", - tha peshkatari, Guilverto Luiz.
Helikopterët janë vendosur për të kërkuar personat e bllokuar. Në disa zona, përmbytjet janë aq të rënda sa helikopterët nuk kanë mundur të zbarkojnë dhe u është dashur t’i çojnë banorët në zona të sigurta.
Në komunën Kandelaria, banorët u ngjitën në çatitë e shtëpive të tyre, ndërsa shtëpitë e tyre u mbushën me ujë. Presidenti brazilian, Luiz Inasio Lula da Silva, ka vizituar rajonin, duke premtuar ndihmë nga qeveria qendrore.
“E gjitha që kërkoj prej jush, të cilët besoni në Zotin, të bëni lutje që të mos vazhdojnë këto shira të rrëmbyeshëm. Gjithçka që është brenda mundësive të qeverisë sonë do të bëhet për të plotësuar nevojat e njerëzve që po preken nga këto shira.”, - theksoi presidenti i Brazilit, Luiz Inasio Lula da Silva.
Meteorologët kanë parashikuar shira të mëtejshëm që do të bien në rajon, ndërsa një front i ftohtë lëviz nëpër të. Vitin e kaluar, më shumë se 30 njerëz u vranë në një ciklon në Rio Grande do Sul. Instituti Kombëtar i Meteorologjisë i Brazilit ia atribuoi intensitetin dhe frekuencën e shtuar të reshjeve fenomenit klimatik El Ninjo. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
