Qeveria e Kosovës pret heqjen e masave nga BE-ja, Stano: Për masat vendosin shtetet anëtare

03.05.2024 17:44

Qeveria e Kosovës vlerëson se Bashkimi Evropian....

Qeveria e Kosovës vlerëson se Bashkimi Evropian padrejtësisht po i mban masat sanksionuese ndaj Kosovës, megjithëse sipas zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka sinjale që masat sanksionuese ndaj Kosovës mund të largohen.

“Ne po presim, sepse të gjitha çka kanë qenë në dorën tonë për t’u bërë, janë bërë tashmë. Ne kemi organizuar votimin në komunat veriore në mënyrë që të thirren zgjedhjet. Kosova duhet të mos këtë masa nga Bashkimi Evropian, pasi masa të tilla ndëshkuese duhet t’i vendosen një vendi agresor siç është Serbia.”, ka deklaruar Ahmeti.

Por, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës.

“Kur i kemi vendosur masat, kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Por, për këtë vendosin vendet anëtare të BE-së, e jo Qeveria e Kosovës. Masat nuk ishin vendosur vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të vendosin se a do të hiqen masat dhe kur, a do të hiqen të gjitha apo pjesërisht.”, tha Stano, sipas të cilit masat ndaj Kosovës do të jenë në fuqi derisa të mos ketë arsye për to. (Gyltene Sinani, TVM2)