Botë
Rusia sulmon me dronë Ukrainën, Peskov: Perendimi rrezikon sigurinë evropiane
04.05.2024 18:40
Të paktën gjashtë persona janë plagosur si rezultat i sulmeve me dronë që Rusia...

Të paktën gjashtë persona janë plagosur si rezultat i sulmeve me dronë që Rusia kreu gjatë natës në rajonin verilindor ukrainas të Harkivit dhe atë qendror të Dnipropetrovskit.
Forcat ajrore ukrainase njoftuan se 13 dronë të lëshuar nga Rusia janë rrëzuar, por zyrtarët rajonalë thanë se nga fragmentet e dronëve të rrëzuar u plagosën qytetarë dhe u dëmtua infrastruktura kritike, si dhe ndërtesat tregtare dhe rezidenciale. Të plagosurit janë shtuar në spital.
“Në muajt e fundit, të gjithë banorët e Kharkiv dhe rajonit kanë mundur të shohin se bombardimet janë intensifikuar", u shpreh menaxheri i një spitali Ruslan Vragov.
“Përplasja ishte aq afër sa shtrati atje. Fillimisht, nuk e ndjeja dorën. Dhe pastaj pashë që këmba më rridhte gjak. Kishte një vrimë në të", u shpreh pensionistja Svitlana Predslavska.
"Dëgjova një fishkëllimë para shpërthimit, fillimisht njërin dhe pastaj tjetrin. Nuk e dija se çfarë kishte ndodhur me mua, nuk ndjeja asgjë, por më pas pashë që këmba më ishte thyer", u shpreh vullnetari Valentin Lashkevich.
Ditë më parë, gjatë një vizite në Kievë,sekretari i Jashtëm britanik David Cameron, i premtoi Ukrainës 3.74 miliardë dollarë ndihmë vjetore ushtarake. Cameron theksoi se Britania nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që i dërgon Britania për sulme brenda Rusisë.
Kremlini i ka cilësuar si përshkallëzim të rrezikshëm dhe të drejtpërdrejtë komentet e sekretarit të Jashtëm britanik, duke cilësuar se shfaqin qëndrimin më luftarak kundrejt Rusisë.
“Ky është një përshkallëzim i drejtpërdrejtë i tensioneve rreth konfliktit të Ukrainës, i cili potencialisht mund të përbëjë rrezik për sigurinë evropiane, për të gjithë arkitekturën e sigurisë evropiane”, theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Pas fillimit të konfliktit ushtarak të Rusisë në Ukrainë në vitin 2022,marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit kanë qenë shumë armiqësore
FARIJE DAUTI BAKIU
