Futboll

Renova nuk ndalet, Rabotniçki “viktimë” e re

11.04.2015 18:46

Renova vazhdon të rradhit fitoret në ligën e parë futbollistike thjeshtë duke mos njohur dhe respektuar asnjë kundërshtar, me të cilin u takua deri më tani në edicionin pranveror...

Gjipsarët e Qatip Osmanit, në ndeshjen e shtatë të pjesës së dytë të sezonit, korrën edhe fitoren e gjashtë dhe pas Shkëndisë që e fituan në mesjavë, viktimë e re e tyre ishte edhe Rabotniçki, një ekip tjetër në formë kohëve të fundit.
 
Vendasit, këtë sfidë e fituan me rezultatin e theksuar prej 2-0, duke ia shkaktuar kampionit aktual Rabotniçkit, disfatën e parë kampionale, që nga 20 shtatori I vitit të shkuar, kur ishte mposhtur në derbin nga Vardari.
 
Dyshja shkatërruese e Qatip Osmanit, Emran Ramadani dhe Izair Emini, edhe njëherë ishte në element dhe e detyroi portierin mysafir të kapituloj dy herë gjatë takimit.
 
Së pari, ishte golashënuesi I golit të vetëm në derbin ndaj Shkëndisë, Ramadani, ai që dërgoi topin në rrjetën e Efremovit, në minutën e katërt në asist të Gafurit, ndërsa futbollisti më I mirë I Renovës dhe njëherësh golashënuesi numër një në Maqedoni sivjet, Izair Emini, edhe kësaj here nuk u ndal dhe në minutën e 44-të, shënoi golin e tij të 14-të këtë sezon, për avantazh të vendasve prej 2-0. Asistues, edhe njëherë ishte Gafuri.
 
Këto shifra, mbetën të pranishme edhe gjatë pjesës së dytë dhe deri në fund të sfidës, me ç`rast Renova fal fitores së re, është ngjitur në pozitën e tretë, në kuotën e 42 pikëve, dy më shumë se Shkëndija, që ndeshjen e xhiros së 24-të ndaj Metalurgut, do ta luaj të martën.
 
Nga ana tjetër, Rabotniçki, pas disfatës nga Renova dhe fitores së re të Vardarit të korrur ndaj Sileksit, mbeti në pozitën e dytë, por është larguar në katër pikë nga rivali lokal dhe lideri në rënditjen e tabelës. 
 
MUSTAFA ADEMI