Maqedoni

Dita e dëshmorëve – 5 Maji, nderohen të rënët për idealet kombëtare

05.05.2024 16:54

Me rastin e 5 – Majit, Ditës së dëshmorit, SHVL-UÇK-së...

Me rastin e 5 – Majit, Ditës së dëshmorit, SHVL-UÇK-së, sot u nderuan të gjithë të rënët për idealet kombëtare. Në këto homazhe, morën pjesë, familjarët e veprimtarëve dhe invalidëve të luftës të cilët në vendprehjet e tyre vendosën lule të freskëta.
 
Në shenjë nderimi për gjakun e derdhur dhe sakrificën e tyre për idealet kombëtare sot u  bënë homazhe në varrezat ku prehen dëshmorët e kombit dhe veprimtarët e kauzës shqiptare. Pas Strugës karvani i pjestarëve të SHVL- UÇK-së u ndal në Kërçovë ku u bënë homazhe për veprimtarët, Medin Emini, Gafurr Zendeli e Abedin Hyseni për të vazhduar, në varrezat e fshatit Kollarë, ku lule të freskëta u vendosën tek varret e dëshmorëve Beqir Limani dhe Ruzhdi Veliu. 
 
“Sot përkujtohen të gjithë dëshmorët e kombit të rënë për atdhe, për të respektuar veprën e tyre madhore dhe përkushtuese, e cila njëherit është edhe mesazh për gjeneratat e reja. Dita e 5 Majit përkujton përjetësinë e dëshmorëve dhe  veprimtarëve të kombit, të cilëve u jemi mirënjohës për gjakun e derdhur, sakrificën e madhe dhe veprat e tyre që do t’u shërbejnë gjeneratave të reja si mësim dhe frymëzim për misionet e kauzës kombëtare”, tha kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu. 
 
Në fund, ai ifalënderoi të gjithë ata që e respektuan veprën e tyre përkushtuese të dëshmorëve të atdheut dhe u përulën përpara atyre që e dhanë jetën për komb e atdhe.
 
SHABAN DALIPI