Gaza, Izraeli thirrje banorëve që të evakuohen

06.05.2024 13:23

Ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të Rafahut...

Ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të Rafahut të largohen nga qyteti. Para ofensivës së paralajmëruar prej kohësh, njerëzit nga pjesa lindore e qytetit, në kufi me Egjiptin, janë thirrur për të shkuar në kampet, disa kilometra më në veri.

Thirrja e Izraelit për të lëshuar Rafahun, është eskalim i rrezikshëm që do të mbart pasoja, thonë qytetarët.

“Aq shumë njerëz kishte të zhvendosur këtu, e tani përsëri duhet të zhvendosen nga këtu. Askush nuk do të mbetet, nuk ka siguri, jemi në rrezik.” 

“Ku të shkoj, nuk kam as para, as asgjë. Unë jam me të vërtet e lodhur, sikurse edhe fëmijët e mi.”

“I mblodha dokumentat dhe valixhet, por do të pres 24 orë dhe të shoh se çfarë do të bëjnë të tjerët.” – thanë disa nga qytetarët e shqetësuar të Rafah.

Situata e re kaotike që po krijohet në Gaza edhe më shumë po e ashpërson luftën e stërzgjatur mes Izraelit dhe Hamasit. Kryeministri izraelit, i cili gjithashtu po përballet me demonstrata masive dhe kërkesat nga familjet e pengjeve për të ndaluar armiqësitë, është zotuar se do t'i rezistojë presionit ndërkombëtar për t'i dhënë fund luftës.

“Sot ne përsëri përballemi me armiq të prirur për shkatërrimin tonë. U them liderëve botërorë – asnjë presion, asnjë vendim në asnjë forum ndërkombëtar nuk do ta pengojë Izraelin të mbrohet. Nazistët u përpoqën të eliminonin çdo hebre. Vrasësit e Hamasit udhëhiqen nga i njëjti qëllim” – tha Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Negociatat për armëpushim vazhdojnë pa përparim të madh. Hamasi dhe Izraeli me akuza të ndërsjella se kush po saboton bisedimet.

Palët mbeten pa marrëveshja që do të përfshinte një fund të luftës dhe një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza.

Kemi sinjale shqetësuese se Hamasi nuk planifikon të pranojë asnjë marrëveshje me ne, që do të thotë se do të kemi një operacion në Rafah dhe në të gjithë Rripin e Gazës” – deklaroi Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Galant.

Mes tentimit për arritjen e armëpushimit, vendimi i Izraelit për të mbyllur zyrat lokale të televizionit “Al Jazeera” në pronësi të Katarit ka pasuar dënimin nga organizatat ndërkombëtare.

“Ky është një vendim shumë i rrezikshëm kundër Al Jazeera-s dhe kundër mediave ndërkombëtare. Është e qartë se ata duan të pengojnë të tjerët të dinë se çfarë po ndodh në këtë luftë, në Gaza, brenda Izraelit, apo në Bregun Perëndimor” – theksoi Ëalid Al-Omari, shef i zyrës së “Al Jazeera” për Izraelin dhe Territoret Palestineze.

“Zëdhënësi i nxitjes së Hamasit dëmton sigurinë e Izraelit dhe Forcave të Mbrojtjes të Izraelit” – u shpreh Ministri i Komunikimit izraelit,  Hlomo Karhi.

Parlamenti izraelit muajin e kaluar ratifikoi një ligj që lejon pezullimin e përkohshëm të mediave të huaja që konsiderohen si një kërcënim për sigurinë kombëtare. (Fitore Demolli, TVM2)