Gambi: OBI mbështet rezolutën për Srebrenicën

06.05.2024 19:25

Vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik....

Vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik mbështetën rezolutën e propozuar nga Kombet e Bashkuara për të shpallur 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.

Deklarata, e cila shpreh mbështetje për miratimin e rezolutës, u soll në takimin dyditor të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, i cili përfundoi të dielën në kryeqytetin e Gambisë, Banjul.

Për miratimin e saj votuan 57 vende anëtare të Organizatës, në të cilën Bosnje e Hercegovina ka statusin e vëzhgueses.

Organizata e Bashkëpunimit Islamik është organizata më e madhe pas Kombeve të Bashkuara, dhe anëtarët e saj përfshijnë vende nga katër kontinente. Këshilli i Sigurimit i OKB-së caktoi një debat për Bosnje e Hercegovinën për datën 15 maj, por nuk u bë e ditur se cila do të jetë tema konkrete dhe as kush do ta mbajë seancën.

Drafti përfundimtar i rezolutës, sipas Radios Evropa e Lirë, thekson vendimin e OKB-së për ta shpallur 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, e cila do të shënohet çdo vit.

Në Srebrenicë, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë, në korrik të vitit 1995. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi këtë krim si gjenocid në vitin 2007.